Agjentja turistike, Albana Nanaj, e ftuar në studion e “Dita Jonë” në A2 CNN, tregoi disa sekrete se si mund të përfitosh bileta avioni me çmim të ulët.
“Ka disa strategji. Mund ta blesh pas mesnatës, për shembull, pasi lirohen vende shpesh në atë kohë; Duhet të ndërrosh celularin apo kompjuterin nga ku kërkon bileta; nuk duhet përdorur e njëjta adresë e-mail, pasi nëse kërkon me të njëjtin e-mail, herën e tretë ta rrit biletën me 10-20 euro”, zbulon Albana Nanaj.
Të dhënat nga kompanitë e fluturimeve tregojnë se nëse prenoton sot një biletë për të shkuar në Barcelonë, Berlin, Vjenë e Dubai për muajt qershor, korrik apo gusht kushton nga 20 deri në 50 për qind më tepër se një vit më parë. Ajo që bie në sy është që shtrenjtimi i biletave ka përfshirë edhe kompanitë “low-cost” të fluturimeve.
Vitet e fundit turizmi në vend ka arritur në nivelet më të larta historike. Shtimi i linjave direkte dhe çmimet relativisht të ulëta të biletave kanë qenë dy ndër arsyet. Të dhënat tregojnë se Spanja dhe Franca janë dy shtet drejt së cilave janë shtrenjtuar më shumë biletat për muajt e verës, ndërsa drejt Italisë apo Greqisë çmimet kanë mbetur thuajse të njëjta.