MENU
klinika

Krifca: Do mbështeten fermat dhe turizmi rural

BE hap dritën jeshile për zbatimin e IPARD III

31.03.2023 - 10:00

Prej dy vjetësh Shqipëria po zbaton programin IPARD II të financuar me 94 milionë euro nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian. Ndërkohë pritet këtë vit të hapet programi IPARD III me një fond prej 146 milionë euro.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, zhvilloi në Bruksel takimin me Komisionerin e Bashkimit Evropian Z. Janusz Wojciechoëski, ku u vlerësua ecuria pozitive e zbatimit të Programit IPARD II në vendin tonë dhe ecuria me përgatitjet për IPARD III.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është bërë gati me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të gjithë procesin e hapjes së programit IPARD III, në Shqipëri, proces i cili do të vlerësohet edhe nga Komisioni Evropian.

“Jemi të angazhuar maksimalisht për përthithjen e fondeve nga Bashkimi Evropian në mbështetje të fermerëve dhe bujqësisë në të gjithë nënsektorët e saj”, u shpreh ministrja Krifca.

Ministrja Krifca tha se, “Në takimin me homologët nga Serbia dhe Mali i Zi, u diskutua gjerësisht në këtë takim mbi zhvillimin e sektorëve tanë, orientimin e BE për mbajtjen e tregjeve hapur e pa barriera, ndikimin e luftës në Ukrainë mbi zinxhirin e furnizimit ushqimor, inflacionin dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në përballimin me sukses të këtyre sfidave të përbashkëta.

Ndërkohë zbatimi me sukses i programit IPARD II në vendin tonë, i ka hapur rrugë miratimit nga KE të programit IPARD III në Shqipëri, ku për herë të parë do të futen masa të reja mbështetëse si sektor që trajtojnë diversifikimin e fermave, bimët mjekësore, turizmin rural.”

Objektivat në zbatimin e programit IPARD janë zbatimi i politikave të integrimit evropian dhe programeve të zhvillimit bujqësor dhe rural me qëllim arritjen e standardeve europiane në mbështetje të fermerëve, agropërpunimit, përmirësimin e konkurrencës dhe mbështetjen e investimeve në zonat rurale për diversifikimin e ekonomisë rurale, duke çuar në zgjerimin e punësimit dhe përfshirjes sociale.

Marrë nga Monitor.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN