Vetëm dy ndeshje janë zhvilluar mbrëmë në elitën e basketbollit amerikan NBA. Vëmendja padyshim ishte në ‘Fiserv Forum’ në Milwaukee, ku Bucks janë mposhtur para tifozëve të vet nga Boston Celtics me 41 pikë diferencë 99:141. Ka qenë një ndeshje që miqtë e dominuan nga çereku i parë e deri në fund, madje epërsinë më të lartë e patën 49 pikë gjatë ndeshjes.
Jayson Tatum ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë sfidë pasi e mbylli atë me 40 pikë, tetë kërcime e një asistim. Me lojë të mirë u dallua edhe Jaylen Brown që shtoi 30 pikë, pesë kërcime e pesë asistime. Te vendasit më i dalluari ishte Giannis Antetokounmpo me 24 pikë, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen e thellë në këtë sfidë. Dueli tjetër i mbrëmjes ka qenë ai mes Denver Nuggets dhe New Orleans Pelicans, ku mysafirët fituan me rezultat të thellë 88:107.