Ministri i ri i Brendshëm Sandër Lleshaj, emërimi i të cilit solli debate dhe përplasje mes Presidencës dhe Kryeministrisë është bërë sot pjesë e emisionit ‘A Show’.
Në një intervistë përballë Adi Krastës, Lleshaj foli për detyrën e tij të re, si dhe risitë që pritet të ketë Policia e Shtetit.
INTERVISTA
Krasta: Më bëri përshtypje që në syzen tuaj të majtë nga publiku ishte një gjë që ngjante si një pikë ujë, deri tek një pikë loti. Por nuk ishte asnjë prej tyre.
Lleshaj: Nuk është asnjëherë nga këto. Sepse loti nuk shkon nga lartë, bie nga poshtë. Është një defekt i syzes, që nuk justifikon zëvendësimin e saj.
Krasta: Pozicioni i ministrit të Brendshëm zoti Lleshaj mund të konsiderohet si pika më e lartë e pozicionimit tuaj në shërbimin publik. A keni pasur një dëshirë të brendshme për të mos ta kundërshtuar në asnjë mënyrë?
Lleshaj: Jo nuk kam pasur dëshirë, nuk ka qenë karriera ime. Po të kishte qenë kjo karriera ime, do isha futur në këtë linjë që mbërrihet këtu. Karriera ime ka qenë ushtarake dhe e kam arritur majën e saj, kështu që kjo është një opsion.