Borusia Dortmund do të përballet pasditen e sotme më një “mur” të vërtetë në Mynh, në spektrin e sukseseve, i cili e ka emrin Bajern. Më poshtë po ju prezantojmë disa nga statistikat mes tyre në Bundesligë.
TË PATHYESHËM- Bavarezët nuk e njohin shijen e humbjes në “Klasike” në 9 përballjet e fundit, e përkthyer me 8 fitore dhe 1 barazim (fazën e parë në sezonin aktual Borusia Dortmund-Bajern Mynih 2-2).
“ALLIANZ ARENA”, FORTESË- Rekordmenët e Gjermanisë kanë korrur sukses në 8 përballjet e fundit ndaj verdhezinjve në fushën e vet, duke shtuar edhe 33 gola, me mesatare të frikshme (mbi 4 gola). Deri tani, ata gëzojnë seri prej 25 sfidash të pamposhtur në Bundesligë si pritës.
TUHEL KUNDËR ISH-EKIPIT- Tomas Tuhel do ta nisë sot eksperiencën në krye të Bajernit pikërisht karshi ekipit që ka drejtuar më parë, Dortmundit, konkretisht mes viteve 2015- 2017, duke fituar Kupën vendëse në 2017-ën.
SULMI I FRIKSHËM- Është fakt se gjigantët nga Mynihu dhe verdhezinjtë janë kryesuesit e sulmit më të mirë në ligë, saktësisht Bajern qëndroi bindshëm në krye të kësaj renditjeje me 72 goditje të përfunduara në katërkëndëshin rival, kundrejt 55 të miqve nga “Signal Iduna Park”, pas 25 javësh të zhvilluara.
ECURIA E SHKËLQYER- Borusia Dormtund është ndër të paktat ekipe në Europë që nuk e ka përjetuar humbjen në vitin kalendarik 2023 në kampionat, thënë ndryshe 9 fitore dhe 1 barazim (Shalke-Dortmund 2- 2). Ata kanë grumbulluar 28 pikë nga 30 të mundshmet, ndërsa kampionët në fuqi qëndrojnë mbrapa, saktësisht 20 nga kuota e 30 të tillave.