Luis Hamilton mori vëmendjen e botës në vitin 2008 duke fituar titullin si kampion Bote pas një lufte të madhe me Felipe Masën. Vetëm në xhiron e fundit të garës së fundit, ishte britaniku i cili parakaloi makinat që kishte para për të arritur vendin e pestë, gjë që i mjaftoi për të mposhtur brazilianin.
Gjithsesi duket se ky i fundit është gati të bëjë çmos për t marrë atë titull, i cili sipas tij iu hoq pa të drejtë.
Pika vendimtare e atij sezoni ishte përplasja e qëllimshme në Çmimin e Madh të Singaporit, kur Nelson Piket Zhunior iu tha të hynte në barriera, në mënyrë që të hynte makina e sigurisë që ndihmoi Fernando Alonson ta fitonte atë garë, ish-shokun e Hamiltonit atë sezon.
Në kaos, Ferrari bëri një rrëmujë në pitstopin e Masës dhe ai përfundoi i 13-ti, ndërsa Hamiltoni ishte i treti, dukle i dhënë atij një grumbull të madh pikësh.
Ndërsa shpresat e brazilianit për të përmbysur rezultatin fillimisht u zbehën, ai tani po kërkon opsionet e tij ligjore pas vërejtjeve nga ish-lideri “suprem” i Formula 1, Berni Ekëllston.
Në një intervistë të dhënë online, Ekëllston tha: “Ne vendosëm mos të bënim asgjë tani për tani. Ne donim të mbronim sportin dhe ta shpëtonim atë nga një skandal i madh. kjo është arsyeja pse përdora gjuhë engjëllore për të bindur Nelson Piket që të ruante qetësinë për momentin.
Në atë kohë ekzistonte një rregull që klasifikimi i kampionatit pas ceremonisë së dhënies së çmimeve të FIA-s ishte i paprekshëm.
Kështu që Hamiltonit iu dha trofeu dhe gjithçka ishte në rregull. Ne kishim informacion të mjaftueshëm në kohë për të hetuar çështjen. Sipas statutit ne duhet të anulonim garën e Singaporit në ato kushte.
Kjo do të thoshte se nuk do të ndodhte kurrë dhe atëherë Felipe Masa do të shpallej kampion bote dhe jo Luis Hamilton”, përfundoi Ekëllston.
Braziliani tani kërkon të eksplorojë opsionet e tij pas bombës së 92-vjeçarit, me anë të një lëvizje gjyqësore që mund ta shohë Hamiltonin të zhveshur nga titulli i parë.
Në një intervistë për “Motorsport.com”, Masa tha: “Ka një rregull që thotë se kur vendoset një kampionat, që nga momenti që shoferi merr trofeun e kampionatit, gjërat nuk mund të ndryshojnë më, edhe nëse është vërtetuar një vjedhje.
Në atë kohë, avokatët e Ferrarit më thanë për këtë rregull. Ne shkuam te avokatë të tjerë dhe përgjigja ishte se nuk mund të bëhej asgjë. Kështu që unë besoja logjikisht në këtë situatë.
Por pas 15 vitesh dëgjojmë që ish-pronari i kategorisë thotë se e ka marrë vesh në vitin 2008, bashkë me presidentin e FIA-s dhe nuk kanë bërë asgjë për të mos e njollosur emrin e F1.
Kjo është shumë e trishtueshme, të di se rezultati i kësaj gare supozohej të anulohej dhe unë do të kisha një titull.
Në fund kam qenë ai që kam humbur më shumë me këtë rezultat. Pra, po shkojmë pas për të kuptuar të gjitha këto”, u shpreh braziliani.
Masa e pranon se shanset e tij për të përmbysur rezultatin janë të pakta, por do të vazhdojë të hetojë deri në momentin e fundit.