MENU
klinika

Nga Mero Baze

Përpjekja për të kthyer antiamerikanizmin si gjendje normale

08.04.2023 - 20:27

Ajo që po ndodh me betejat e përditshme të Berishës dhe Metës kundër SHBA, në të vërtet është një përpjekje tinzare për ta kthyer antiamerikanizmin si një gjendje normale në politikën ditore në Shqipëri.

Përkundër pritshmërisë që kanë shumë opozitarë që Berisha duhet ta shmangte debatin me SHBA dhe të bënte sikur nuk ishte në luftë me ta, ai ka katër ditë radhazi që këmbëngul tek beteja me SHBA madje së fundmi kërcënoi se do ballafaqohej dhe ligjërisht me ambasadoren e SHBA që sipas tij ka shkelur ligjin elektoral.

Është e qart për të gjithë se deklarata e ambasadores nuk kanë të bëjnë me fushatën elektoral por me qëndrimin zyrtar të HSBA ndaj Berishës. Dhe ajo e ka detyrë ta bëj publike atë sa herë ja kërkojnë duke e konfirmuar. Edhe Sali Berisha e di këtë, por nuk i intereson. Ai do që njerëzit të mësohen me idenë e luftës së përditshme ndaj SHBA, apo sic do ta thoshte dikur ai me kur ishte në Partinë e Punës, me revolucionin permanent kundër SHBA.

Të njëjtën gjë bën dhe Ilir Meta. Edhe ai përpiqet të përfshihet në betejë duke i kundërvënë SHBA kandidatët e bashkive, për ti treguar se nuk ke punë vetëm me Berishën e Metën por me 61 njerëz të tyre.

Më tej sëmundja është shpërndarë në gjithë gazetarët pro Berishës që mbushin ekranet që janë bërë të gjithë ekspert të SHBA dhe gjykojnë për gabimet e saj në Shqipëri, sikur të ishin Komisioni i Jashtëm i Senatit amerikan.

Ky lloj “normaliteti” në perceptimin e betejës politike të Berishës kundër SHBA, është në fakt një nga gjërat më të hidhura të debatit politik në Shqipëri, pasi në një farë mënyre ka legalizuar betejën me SHBA si betejë elektorale në Shqipëri, dhe ka cenuar konsensusin kombëtar për SHBA si aleat strategjik i Shqipërisë.

Berisha po përpiqet ta relativizoj këtë gjë, duke arritur ta krijoj perceptimin që SHBA dhe mund të bëhet palë në zgjedhje dhe të votohet kundër saj.

Dhe po e bën me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, sidomos paret e pista të korrupsionit, që bëjnë që ai ti mbijetoj një beteje të financuar nga krimi kundër SHBA, me media të korruptuara prej tij dhe me një enturazh politik opozitar thuajse të tredhur prej tij.