MENU
klinika

Shpenzimi i parave të fushatës për mbjellje pemësh dhe rritja e pagave

A e ka shkelur PS kodin zgjedhor? Si e komenton Celibashi

10.04.2023 - 12:55

Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Ilirian Celibashi, në një konferencë për gazetarët paraditen e sotme, është pyetur nëse PS ka shkelur kodin zgjedhor duke premtuar rritje page para fushatës, si dhe për shpenzimin e buxhetit zgjedhor për mbjellje pemësh.

“Nuk mund të them gjë në këtë moment, por me rendësi është partitë të marrin financimet që kërkojnë për fushatën, mënyra e shpenzimit është çështje e ligjit dhe ka parashikime që duhet të zbatohen. Kur të jetë rasti për ta vlerësuar rastin për shpenzimin e këtyre parave, do të kemi një njoftim”, tha Celibashi për vendimin e PS, që një pjesë të buxhetit ta çojë për gjelbërimin e qyteteve.

Ndërkohë për vendimin për rritje pagash dhe bonus për pensionistët, pak para zgjedhjeve, ai tha: “Nuk kam çfarë t’i shtoj qëndrimit që kam mbajtur më parë lidhur me këtë çështje. Secili mund të ketë komentet e veta në pikëvështrime të ndryshme të këtyre akteve, por ajo çfarë në cilësinë e komisionerit do duhet të vlerësoj, është përputhshmëria në raport me kodin zgjedhor, dhe kemi vlerësuar që ato parashikime ndaluese janë për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë. Unë e kam një opinion, por as nuk do zgjidhte dhe as do ndihmonte, dhe ju jeni më të zotë se unë për ta bërë kështu që ndjehuni lirshëm për ta bërë”, tha ai.