Superliga shqiptare e futbollit u përball dje me një rast të rëndë, teksa ndeshja mes Kastriotit dhe Bylisit për javën e 28-të u shty për shkak se arbitri i ndeshjes Juxhin Xhaja dhe familjarët e tij u kërcënuan me jetë, kjo për të favorizuar krutanët. Në lidhje me këtë vendim, FSHF anulloi ndeshjen teksa denoncimi është bërë në organet e drejtësisë.
Veç arbitrave, në media ka qarkulluar lajmi se janë kërcënuar nga klubi Kastrioti edhe drejtues të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, por në një reagim për Report TV dhe Shqiptarja.com, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku e ka mohuar të ketë ndodhur diçka e tillë, duke thënë se “nuk është e vërtetë”.
Report TV u interesua edhe në klubin e Kastriotit, me administratorin Gazmend Vogli që i ka qëndruar reagimit të klubit për mospërfshirje në këtë histori. Ndërkohë autoritet po vijojnë të hetojnë se çfarë ndodhi në fundjavë me arbitrin Juxhin Xhaja.
FSHF në reagimin e djeshëm pranoi se kërcënime për arbitrat ka pasur edhe një javë më parë në Kastrioti 2-1 Laçi, me gjyqtarin që ka anulluar një gol për kurbinasit, kjo pasi u ndje nën presion. Tanimë hetimi veç kërcënimeve do duhet të fokusohet edhe në manipulimin e rezultatit të ndeshjes.