MENU
klinika

Analiza

Rimarrja e Krimesë nuk është opsioni më i mirë për Kievin

12.04.2023 - 09:30

“Krimea është toka jonë, territori ynë”- deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në janar, duke nënvizuar vendosmërinë e Ukrainës për të zhbërë aneksimin e paligjshëm të gadishullit nga Rusia. Aktualisht, Ukrainës mund t’i mungojë aftësia ushtarake për të rimarrë Krimenë.

Por Kievi mund të arrijë ende disa nga objektivat e tij kryesore duke e bllokuar atë. Këtë detyrë e lehtëson edhe teknologjia e re në dispozicion. Krimea është ligjërisht pjesë e Ukrainës, pavarësisht se ka qenë nën kontrollin e Rusisë që nga viti 2014.

Rusia e përdor gadishullin si një bazë të rëndësishme për mbështetjen logjistike të forcave ruse në zonat e pushtuara të Ukrainës, si dhe për operacionet ajrore dhe detare. Rimarrja e Krimesë me mjete ushtarake mund të jetë e vështirë. Gadishulli është i lidhur me pjesën tjetër të Ukrainës vetëm përmes një rripi toke të ngushtë.

Forcat ruse në Krime mund ta forcojnë atë sipas dëshirës. Për më tepër, Ukrainës i mungojnë aftësitë substanciale të sulmit amfib. Adam Smith, zyrtari demokrat më i lartë në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Kongresit Amerikan është shprehur se “njerëzit e kuptojnë se Ukraina nuk do ta rimarrë ushtarakisht Krimenë”.

Disa nga mbështetësit e Ukrainës shqetësohen se Rusia mund t’i kundërpërgjigjet me një sulm bërthamor një sulmi ukrainas në Krime.

Një vit pasi pushtoi gadishullin, Putin tha se ishte gati të vinte në gatishmëri armët bërthamore ruse.

Në fillim të këtij viti, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev u mburr se një sulm ndaj Krimesë do të çonte në “sulme hakmarrëse”. Presidenti amerikan Joe Biden ka shprehur shqetësimin e tij se përdorimi i armëve bërthamore në Ukrainë mund të çojë në një “Apokalips”.

SEVASTOPOL, CRIMEA, RUSSIA – JANUARY 25, 2019: An aerial view of the city at night. Sergei Malgavko/TASS
Ðîññèÿ. Ñåâàñòîïîëü. Âèä íà íàáåðåæíóþ Êîðíèëîâà è ïðîñïåêò Íàõèìîâà. Ñåðãåé Ìàëüãàâêî/ÒÀÑÑ

Frika nga përshkallëzimi bërthamor mund të jetë pjesë e arsyes se pse SHBA-ja vazhdon të dërgojë në Ukrainë Sistemet Raketore Taktike të Ushtrisë (ATACMS), që janë artileri raketore me rreze më të gjatë. Kjo mund t’i mundësojë Ukrainës të godasë objektivat ushtarake në të gjithë Krimenë.

Megjithatë, Ukraina nuk ka nevojë që të dëbojë forcat pushtuese nga Krimea për ta bërë atë më pak mikpritëse për synimet e Rusisë. Kombinimet e teknologjive moderne mund t’i japin mundësi Ukrainës të bllokojë operacionet ruse. Ish-komandanti i ushtrisë amerikane në Evropë, gjeneral-lejtnant Ben Hodges thotë se me aftësitë e sulmeve me rreze të gjatë, forcat ukrainase mund ta “bëjnë Krimenë të paqëndrueshme për forcat ruse deri në fund të kësaj vere”.

Ukraina mund të përdorë aftësi shtesë për të neutralizuar pjesën më të madhe të fuqisë ushtarake ruse në Krime. Ajo ka treguar përdorimin efektiv të mjeteve shpërthyese që lundrojnë pa ekuipazh (USV) në sulmet kundër anijeve luftarake ruse me bazë në Sevastopol.

Koncepti është i thjeshtë: USV-të e ngarkuara me eksplozivë drejtohen drejt objektivave. Kjo teknologji në zhvillim mund të fundosë anijet luftarake dhe të shkatërrojë infrastrukturën detare. USV-të janë të përshtatshëm për sulmet në grupe dhe kanë një kosto relativisht të ulët.

Modelet e tyre të reja mund të modifikohen për t’i bërë ato më të fshehta dhe më të vështira për t’u zbuluar sesa shumica e anijeve me ekuipazh brenda. Sulmet në shkallë të gjerë duke përdorur shumë USV mund të shkaktojnë dëme të mëdha. Mbytja e një luftanijeje në një  kanal të mbyllur mund të krijojë pengesa që do të duheshin javë për t’u pastruar, madje më shumë nëse do të ishin nën zjarrin intensiv të armikut.

Gjeografia që e bën të vështirë pushtimin e Krimesë, e lehtëson rrethimin sot. Të gjitha lëvizjet ruse nga toka duhet të kalojnë nëpër një nga dy korridoret e kufizuar. I pari përfshin kalimin e qindra kilometrave të territorit të pushtuar, përfshirë zona që janë relativisht afër frontit dhe me popullsi armiqësore, diversantë dhe forca speciale.

I dyti është istmi, një vend i pasur me objektiva me hapësirë ​​minimale për manovrim dhe brenda rrezes së armëve aktuale ukrainase. Rruga tjetër tokësore është përmes urës së Krimesë, të cilën forcat ukrainase e dëmtuan në tetor 2022 si një “dhuratë ditëlindjeje” për presidentin rus Vladimir Putin.

Urat janë të qëndrueshme dhe të vështira për t’u shkatërruar. Kjo është një nga arsyet pse pretendimi i Rusisë se dëmi ishte shkaktuar nga një kamion-bombë (dhe zjarri që pasoi) mund të jetë i pabesueshëm. Përkundrazi, sulmi mund të jetë shkaktuar nga një USV.

Sepse ajo mund të mbajë një ngarkesë shpërthyese më të madhe se sa një kamion dhe ta godasë një urë nga pjesa e poshtme e saj që është më e cënueshme.

Ndërsa Rusia e ka riparuar pjesën më të madhe të dëmit, dhe do të jetë vigjilente kundër sulmeve pasuese, një tufë e bashkërenduar e USV-ve – ndoshta e plotësuar nga sulmet ajrore që shmangin vëmendjen e trupave ruse – mund ta dëmtojnë urën për një kohë të pacaktuar.

Transporti detar mund të jetë në shënjestër nga USV-të, dhe ndoshta nga minat klandestine në hyrjet e portit. Kostot e USV-ve dhe minave janë të vogla në krahasim me efektet që do të gjeneronin. Objektet portuale dhe rrjetet e transportit tokësor mund të bllokohen nga raketat me rrezet më të gjata.

Rusia do të vazhdojë ta ri-furnizojë Krimenë në rrugë ajrore, por avionët mund të ofrojnë vetëm një pjesë të materialeve që mund të transportojnë automjetet tokësore apo anijet. Duke u mbështetur tek armët me rreze më të gjatë, Ukraina mund ta pakësojë furnizimin duke goditur pistat e avionëve dhe depot e karburantit në gadishull.

Edhe pse ato mund të riparohen, kjo kërkon kohë dhe burime. Avionët mund të shënjestrohen qëkur janë në tokë, ndonëse kjo mund të kërkojë të dhënat të sakta të vendndodhjes. USV-të mund t’i japin mundësi forcave ukrainase të bllokojnë Krimenë.

Të forcuara nga armë të tjera, forcat ukrainase mund të pengojnë forcat ruse që ta përdorin atë si një strehë të sigurt, nga e cila mund të sulmojnë pjesën kontinentale ose të kërcënojnë anijet e Detit të Zi. Të tronditur nga sulmet, me mungesë furnizimesh dhe disi të izoluara, forcat ruse në Krime mund të bëhen më pak të afta për të vepruar. Forcat ukrainase mund të kapin dhe neutralizojnë armikun në Krime, teksa luftojnë në të njëjtën kohë për ta larguar atë nga pjesë të tjera të vendit të tyre. /albeu.com

William Courtney, bashkëpunëtor në think-tankun amerikan “RAND Corporation”, ish-ambasador i SHBA-së në Kazakistan dhe Gjeorgji. Scott Savitz, ekspert në “RAND Corporation”.