MENU
klinika

PS hap fushatën në Durrës

Rama: Do jetë një nga destinacionet më të kërkuara në Mesdhe!

12.04.2023 - 19:38

Kryeministri Edi Rama ka hapur fushatën elektorale të Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit ku ashtu si në Tiranë, takimi me qytetarët u mbyll me mbjelljen e pemëve, në zonën e Vollgës. Kreu i qeverisë tha se qyteti i Durrësit ka arritur një transformim rrënjësor dhe se do të kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara në Mesdhe. Ai tha se vijon puna për dy portet e qytetit, po ashtu për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe projektet e ndërmarra nga bashkia.

“Potenciali i Durrësit është i jashtëzakonshëm, me investimet e reja masive që do bëjmë, Durrësit do ketë një transformim rrënjësor dhe do kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara në Mesdhe. Kjo do të thotë se do rriten mundësitë për punë dhe jo vetëm kaq, do kenë punë më të mirëpaguara. Në Durrës janë dy porte kyçe, për të dyja këto porte jemi në proces. Me portin turistik ka filluar të vendoset baza e kantierit dhe do vijojnë intensivisht punimet.

Në Porto Romano kemi një përmasë ushtarake për të krijuar një baze operacionale të NATO-s në njërin krah të portit. Kur po vija po shikoja edhe bazën e hekurudhës. Me linjën e re hekurudhore dhe me trenat e rinj që do vijnë, një tjetër infrastrukturë e rëndësishme do t’i shtohet Durrësit,. Ashtu sikur po vijojmë me punën me qeverinë e Kosovës për hekurudhën nga Durrësi drejt Kosovës që mundëson një tjetër hyrje të mallrave në të gjithë rajonin. Janë edhe projektet e bashkisë për të cilat ne komunikojmë me Anin vazhdimisht. Besoj e keni parë kantierin e shëtitores së plazhit. Po punojmë edhe me projektin e zgjerimit të rërës. Do kthehet e gjithë ajo hapësirë fantastike që ka qenë dikur kur akoma plazhi nuk ishte ngushtuar nga ndërtimet e reja”- u shpreh Rama.

Ai theksoi se një Durrësi gjatë drejtimit të kryebashkiakes Emirjona Sako është kthyer në një qytet më të pastër. Teksa përmendi disa prej projekteve të cilat janë në zbatim e sipër, kryeministri thumboi edhe dyshen Meta-Berisha, duke theksuar se pas gjithë arritjeve të shënuara, Durrësi nuk mund të kthehej mbrapa.

“Dua të mbyll duke u kërkuar të gjithëve të bëni një krahasim shumë të thjeshtë. Përfytyroni cfarë pafytyrësie duhet për të ardhur këtu dhe për të kërkuar votën e qytetarëve të Durrësit për ta kthyer Durrësin mbrapa , aq mbrapa sa të kthehet në një qytet ku vendosin dy hijet e së kaluarës me një kukull që kanë vendosu këtu. Nuk kam asgjë me kukullën e vendosur këtu, por Durrësit i duhet të vazhdojë përpara.

Është e pamundur që Durrësit ta cojë nëpërmend se mund të kthejë drejtimin dhe të lërë rrugës gjithë këto gjëra të mëdha që janë nisur tanimë për t’u futur në një cep të errët. Është momenti që të fillojmë edhe këtu me mbjelljen e disa pemëve. Fushatat shkojnë e vijnë”-tha Rama.

Ditën e djeshme, Partia Socialiste hapi zyrtarisht fushatën elektorale, duke premtuar se do të ketë takime të vogla me qytetarë dhe se gjysmën e shpenzimeve për fushatën do të jepen për mbjelljen e pemëve në të gjitha bashkitë e vendit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Kemi fituar 7 palë zgjedhje…”!

LIVE/ Rama hap fushatën e PS

“Ndryshimi, i dukshëm në bashkitë e drejtuara nga PS”

Rama: Gjatë qeverisjes tonë u dyfishuan të ardhurat për frymë!