Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj, çdo vit u jep mundësinë tre autorëve të rinj të botojnë veprat e tyre të para. 11 autorë ishin në garë këtë vit, ku një ditë më parë u ndanë dhe çmimet për fituesit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Në këtë aktivitet ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, shkrimtarë dhe botues, ku u ndanë vlerësimet për fituesit e këtij viti: Alban Tufa, Enxhi Naumi, Andrin Kabashi.
“Kënaqësi t’i takoja sot në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe të merrja energjinë pozitive që ata përçonin përmes dëshirës për t’iu qasur rrugës së bukur dhe të vështirë të krijimtarisë”, shprehet ministrja.
Margariti tha se mes fituesish është dhe një i ri nga Kosova, ku siç shprehet ajo ky është një ogur i mirë dhe dëshmi se nismat tona nuk janë thjesht lokale.
Juria e kryesuar nga Liridon Mulaj dhe anëtar Enkel Demi, Sonila Strakosha, vlerësoi mes 11 dorëshkrimeve veprat e mëposhtme: Alban Tufën me dorëshkrimin “Ata ishin (mbetën) dy”, shtëpia botuese “Toena”. Motivacioni: Për origjinalitetin dhe thellësinë e vargut poetik të shprehur me sinqeritet dhe pjekuri.
Enxhi Naum me dorëshkrimin “Tytnia”, shtëpia botues “Albas”. Motivacioni: Për poezinë e zhveshur nga droja duke e shpalosur sentimentin lakuriq nëpërmjet ndjeshmërisë së lartë artistike.
Andrin Kabashi me dorëshkrimin “Qyteti pa lumë”, shtëpia botuese “Onufri”. Motivacioni: Për mesazhet nënkuptimore të përcjella nëpërmjet një stili ekzistencial dhe proze të konsoliduar, që evidentojnë problemet thelbësore të brezit të mileniumit të ri.
Më herët QKLL shprehej se thirrja u drejtohej lëvruesve të poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri 35 vjeç. Shuma e financimit për mbështetjen e procesit krijues të veprës do t’i paguhet drejtpërdrejt shtëpisë botuese.
Nëpërmjet këtij fondi, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) më herët në faqen e saj shprehej se synon të promovojë letërsinë e re shqipe, duke u ardhur në ndihmë autorëve të rinj shqiptarë për të botuar dhe për t’u bërë pjesë e një hapësire më të gjerë njohjeje përballë lexuesit.