MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Escobar, si oksigjen për Ilir Metën!

13.04.2023 - 21:22

Vizita e Escobar në Tiranë është një mesazh i SHBA-ve për këto zgjedhje lokale që po vijnë dhe që marrin një konotacion të theksuar politik. Escobar takoi presidentin e vendit, pastaj shefin e qeverisë dhe më vonë edhe fraksionin e Alibeajt në PD dhe Ilir Metën, e PL. Ndër më të rëndësishmit nga këto takime ishte ai i Ilir Metës. Amerikanët po shikojnë që investimi i tyre në fraksionin e Alibeajt dikur i Bashës, nuk po arrin të marrë frymë e jetë. Duket qartë që është një fraksion i mefshtë. Është qesharake të shohësh betejat e tyre gjasme në parlament ndërkohë që beteja zhvillohet në terren.

Aq më tepër që zgjedhjet lokale kërkojnë një mbërthim të politikanëve në terren sepse janë zgjedhje që kantë të bëjnë me administrimin e vogël të komunave, fshatrave , qyteteve. Po shijkojmë që partia e Alibeajt në vend të ketë një fushatë agresive, kemi vetëm tërheqje të kryetarëve ku nga 15 i kanë mbetur vetëm gjysma, ata që do kandidonin përballë subjekteve të tjera politike, PL me Berishën, PS. Ky mund të jetë një diversion i Berishës, mirëpo politika e tillë është. Alibeaj duhet t’i dilte para këtyre diversioneve dhe t’i frenonte arratisjen këtyre kandidatëve. Duhet të kishte ndodhur që 61 bashki të ishin mbuluar me kandidatë nga ky fraksion.

Nuk ndodhi. Ndërkohë janë vetëm 15 dhe sot s’dihet a do jenë 7 apo 8. Pra kemi të bëjmë me një mefshtësi dhe një mungesë qartësie bërtitëse të këtij fraksioni. Kush shpreson që këta dikur do forcohen, e kanë shumë gabim. E kanë gabim dhe amerikanët që mendojnë se mund të arrijnë të mbjellin forca politike në Shqipëri pa qenë produkte autentike vendase. Dua të kujtoj kur amerikanët vajtën në Itali pas Luftës së Dytë Botërore dhe nuk donin që të fitonin Partia Komuniste sepse nuk donin një ekspansion të komunistëve me tone të buta në një terren që konferenca e Jalzës ia kishte lënë Perëndimit dhe ata vetëm ndihmuan financiarisht Partinë Demokristiane por e lanë që politikanët vendas të bënin atë çfarë kishin për të bërë.

Si duket kanë arritur në një konkluzion edhe në Shqipëri sepse partia e Alibeajt nuk po arrin që të ndezë, që të ngjisë. Një parti që në vend që të dilte në terren, të sqaronte situatën, të përkrahte mbështetësit, t’u japë zemër sepse ishin në dy fronte me përkrahësit e foltores dhe PS, u mbyllën në selinë e tyre dhe kujtojnë se e gjithë politika është ajo që bëjnë në Parlament. Në Parlament mund të flasësh sa të duash, mund të bësh statuse, por kjo nuk tregon asgjë. Dhe kështu u duket se po bëjnë politikë, harrojnë se politika është diçka tjetër. Në vend që të hidheshin në terren dhe të bënin politikë reale, të krijonin lidhje, interesa të reja, të arrinin të gërryenin foltoren nuk e bënë. Foltorja e ka bërë dhe ky nuk është faji i Berishës, është një person që po përpiqet të mbijetojë politikisht.

Vizita e Escobar ishte për të testuar frontin Ilir Metës. Dhe në këtë rast mesa duket për të mos e lënë vendin pa një opozitë reale, përballë socialistëve kanë marrë një kontakt dhe të Ilir Metës. Jo më kot ata nuk e shpallën ‘non grata’ Ilir Metën i cili ka po aq gjynahe sa Sali Berisha, por mesa duket e kanë mbajtur një këmbë nën frena sepse e kanë ditur që me zbrazjen e këtyre dy personazheve, skena e opozitës mbetet pa një personazh real që mund t’ i bëjë një lloj konkurrencë. Amerikanët e kanë të qartë që Ilir Meta nuk është një ushtar i Berishës, do ta përdorë për interesat e veta, por nuk duan ta lenë vendin pa opozitë dhe ndaj e takoi dhe po presin zhvillimin e situatave të reja nëse ky fraksion i Alibeajt do jetë në gjendje të marrë peshë.

Amerikanët disa herë janë përpjekur të krijojnë opozita të tilla artificiale, por nuk ia kanë dalë. Ka qenë dikur rreth vitit 2006- 2007 kur ambasadori Arvizu mblodhi të gjithë ish-bursistët, njerëz të shkolluar në Amerikë dhe u përpoq të krijonte një opozitë por nuk qullosi gjë. Mendoj që për momentin vizita e Escobar ka qenë një oksigjen për Ilir Metën. Kanë qenë dhe fjalë e këshilla të ndryshme që i thonë zakonisht, por mesazhi kryesor ka qenë: ‘Ju duhet të jeni një opozitë ne po investojmë te ju nga halli, sepse nuk kemi çfarë bëjmë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN