Gjykata Kushtetuese ka vendosur këtë të martë të shfuqizojë Bordin e Karburanteve të ngritur me vendimit të Këshillit të Ministrave. Ky vendi vjen disa kohë pas vendimit tjetër, për shfuqizimin edhe të Bordit të Ushqimeve. Të dy, janë cilësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën.
“Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në njoftim.
Kërkesa ishte bërë në këtë gjykatë nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike. Ata e quanin arbitrar vendimin e qeverisë për ngritjen e këtij bordi, pasi kur çmimet në bursë uleshin, Bordi I karburanteve nuk vepronte ose e bënte këtë me shumë vonesë. Ndërkohë, kur çmimet rriteshin, bordi mblidhej menjëherë.
Tashmë, sapo vendimi i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi, Bordi i Karburanteve do të shkrihet dhe përfaqësuesit e qeverisë dhe ata të biznesit të hidrokarbureve, nuk do të mund të mblidhen dhe të fiksojnë çmimet e reja.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë:
“Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare publike kërkesën e jo më pak se një të pestës të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë . Shfuqizimi i ligjit nr. 42/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 8, datë 25.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë .
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “c” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
VENDOSI:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
Shfuqizimin e nenit 21/10, pika 2, fjalia e dytë, të ligjit nr. 39/2022 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 12.03.2022 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.”