Forcat kryesore në garën për 61 bashkitë e vendit sapo u përshfaqën në vigjilje të fushatës elektorale. Maxhoranca me lopatë në dorë në mbjellje të pemëve, ndërsa opozita vijoi ritualin e njohur të mitingjeve elektorale nëpër ambiente sportive. Mesazhi që u përcoll ish shumë i qartë. Maxhoranca përçoi siguri ndaj kundërshtarëve kaotikë kur dhe paratë e KQZ i hedh për pemë si fitorja që ka zënë rrënjë. Ndërsa opozita dëshmoi se mbetet në funksion jo të ideve, porn ë shërbim të madhështisë së liderëve të lodhur që mëndojnë se karikohen përpara turmave brohoritëse. E ndarë dhe e përçarë mes vetes, dy imazhe do të mbeten në mendje nga mitingjet e dy gjysmave që luftojnë njëra tjetrën. Ajo e fjalimit të Berishës në një auditor stadiumi thuajse bosh pas një mitingu të stërgjatë e të stërlodhshëm, dhe kopaçet që i vërtiste Bejko ndaj Belos në mitingun analog të PD në Pallatin e Sportit.
Si kujtesë se gara midis tyre është në fuqi me të njëjtën ashpërsi si ndaj maxhorancës. Në fakt ky është imazhi themeltar për çdo bashki të vendit. Edhe për ato ku PD nuk arriti të vendosë kandidatë konkurrues ndaj listës Meta- Berisha. Gjithë kjo krizë shoqëruese dhe divorci me sherr ka bërë që të zbehet vlera e konkurimit real për kryetarë bashkish dhe një hallakatje e elektoratit që më së shumti sheh një betejë për terren politik edhe midis vetë palëve të opozitës sesa platforma për kontribute në favor të komuniteteve përkatëse.
I vetmi që duket i pashqetësuar në një garë ku do të thyhen shumë koka kandidatësh e shpresa demokratësh, duket se është Ilir Meta. I garantuar me një listë këshilltarësh bashkiakë, të cilën e ka ndarë fifti fifti me Doktorin, ça të kapin kandidatët e primareve me vota opozitarësh e ka qar, në favor të përfqësuesve të flamurit të tij. Padyshim që do të jetë fushata më e rehatshme për PL, kur vetë ish LSI-ja është përpjekur të ketë peshën e vet e zërin e saj në çdo betejë elektorale. Kësaj rradhe, edhe nëse ska zë, ka rezultat të garantuar këshilltarësh.
Beteja politike vijon, ndonëse ajo çfarë bie në sy është se në të po mungon grinta dhe dëshira e përballjes me maxhorancën. Arësyeja për këtë mund të justifikohet me situatën në të cilën po kalon opozita e cila hyn e fragmentarizuar dhe mandje në konkurencë me njëra tjetrën, por nuk është vetëm kaq. Të hysh në një betejë edhe mund të mos fitosh, por humbejne e ke në ballë dhe nuk duhet se çfarë të pariturash të tjera vijnë pas kësaj humbjeje, kjo vvec i topit vullnetet e kandidatëve. Çka e bën pozicionin e maxhorancës së tepërmi komod në një garë që ndonëse nuk ka ndonjë peshën e zgjedhjeve të përgjithshme, gjithësesi shërben për testim të besueshmërisë në elektorat. Por dhe si rast për ta zhytur në depression më të thellë një opozitë që nuk arrin të gjejë as vetveten, as lidershipin dhe as besimin tek elektorati i saj.
Kjo situatë e mjegullsisë politike që ka përfshirë opozitën në përgjithësi, natyrshëm që do të reflektojë dhe në mënyrën si po e zhvillojnë fushatën dhe garën elektorale. Garë e cila më së tepërmi është një ballafaqim midis dy palëve, të siglës zyrtare të PD dhe të vetëlarguarit që kanë bërë koalicion me PL. Të dyja flasin në emër të të njëjtit elektorat, të së njëjtës anëtarësi dhe që në fakt po e çojnë në një thertore votash fatin e ish PD të dikurshme. Përderisa këto zgjedhje shihen ende jo si mundësi fitoreje por si një ballafaqim se cila midis palëve ka më tepër peshë tek votuesit e djathtë, gara do të jetë se kush do të ketë një votë më tepër. Pjesa tjetër ka pak rëndësi dhe pak interes për drejtuesit e të dy kampeve opozitarë. Çështja është se si do të ndikojë ky rezultat të nesërmen e shpalljes zyrtare të renditjes në betejën e mëtejshme midis tyre. Pikërisht mbi rezultatin që do të dalë do të përcaktohen dhe strategjitë dhe taktikat që do të ndjekin për të goditur me fort e më egër njëri tjetrin nesër. Opozita nuk iu shmang dot procesit vetasgjësues.
Logjika elektorale nuk jep asnjë optimizëm për secilin kah të opozitës ndërsa anëtarësia, militantët dhe votuesit do të ndahen. Në kushtet kur thyesat do të eleminojnë vlerat e njëra tjetrës, është e pamundur që të kesh një rezultat fitimtari. Edhe sondazhet që janë kryer, më së tepërmi janë fokusuar se cila nga dy kampet opozitare ka një mbivendosje ndaj tjetrit sesa të merret se kush fiton bashkitë. Diferenca midis shifrave të maxhorancës dhe çetave të shpërndara të opozitës është aq e ndjeshme dhe e dukshme saqë hendeku duket i pakalueshëm. Deri në 14 maj koha në dispozion nuk është e mjaftueshme për për një përmbysje radikale të shifrave. Dhe ky gur i rëndë në qafë duket se do të ndikojë fort, sidomos për bashkitë e mëdha të vendit, ku në një elektorat më të gjerë vështirë se mund të ndikosh për tre javë për të rikuperuar besim.
Zakonisht në jë garë futesh me entusiazëm. Por laku i kohës ngushtohet dhe kuotat e kundërshtarit qëndrojnë ende të larta, atëherë entusiazmi kalon në pezmatim. Dhe i vetmi ngushëllim është beteja për vendin e dytë, në garën midis vetë opozitës. Nëse dhe këtë mund ta konsiderojmë garë, atëherë: Mirupafshim Zgjedhje.