Investimet e huaja direkte pësuan rënie për të dytin tremujor radhazi. Ndonëse ngelen në vlera domethënëse, shifrat konfirmojnë parashikimin për një rënie graduale të vlerë së tyre, e lidhur sidomos me përfundimin e projekteve madhore të investimeve strategjike.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë investimet e huaja direkte kishin vlerën e 268 milionë eurove, në rënie me 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, deri tani bilanci progresiv vjetor ngelet pozitiv, falë rritjes së tremujorit të parë. Në nëntë muaj, ekonomia shqiptare ka thithur 782 milionë euro investime të huaja, me një rritje prej 10 milionë eurosh krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar.
Investimet e huaja direkte kanë qenë një nga shtyllat kryesore të rritjes ekonomike në pesë vitet e fundit, të mbështetura sidomos nga disa projekte madhore energjetike, si gazsjellësi Trans-Adriatik, apo hidrocentrali në kaskadën e Devollit.
Megjithatë, tani që këto vepra janë drejt përfundimit, perspektiva e investimeve të huaja është e pasigurt, siç është evidentuar nga raportet e institucioneve ekonomike të specializuara.