Paralelisht me bonuset dhe rritjen e pagave, qeveria ka nxjerr skemën e re që lehtëson të moshuarit që përfitojnë pension. Sot që flasim gjithkush pyet: “Të punosh një jetë për të mos marrë në fund atë që meriton?”. Fat të njëjtë me shumë shqiptarë që enden në kërkim të viteve të punës pati edhe Artani. Sot ai merr vetëm gjysmë pensioni, ndaj i duhet që pjesën e parave të munguara ta sigurojë duke punuar. Aktualisht, Artani duhet që megjithëse në pension, të paguajë kontributet si të ishte një i punësuar normal. Por një propozim i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, synon të lehtësojë mesatarisht me 9 mijë e 500 lekë rreth 1 mijë e 500 të moshuar në vend. Për eksperten e ekonomisë, Romina Radonshiqi, bazuar edhe në rekomandimet e Bankës Botërore, duhen ndërmarrë më shumë politika në drejtim të përkrahjes së të moshuarve: “Duhet vërtetë të ketë edhe politika të tjera. Ata rrisin nivelin e varfërisë pasi janë jashtë forcës punëtore”. Projektligji i hedhur për konsultim publik sugjeron ndryshime për të punësuarit në fushën e teknologjisë së informacionit, pjesë e Parqeve Teknologjike. Gjithashtu, propozimi i financave parashikon gjithashtu edhe zgjidhje të problemit të rikthimit në fondin e sigurimeve shoqërore të shumës së kësteve të pensioneve që janë gjeneruar dhe kaluar padrejtësisht në llogarinë bankare të të moshuarit.
Skema e pensioneve, flasin ekspertët
Ndërkohë skema e pensioneve në Shqipëri dhe rritja e moshës së pensionit nga qeveria vijon të jetë në qendër të debatit mediatik dhe ekspertëve . Le të shohim një shembull që buron nga viti i parë i zbatimit të reformës së vitit 2014. Një qytetar që ka dalë ne pension në vitin 2015 me pagën mesatare minimale 22 mijë lekë, për 35 vite kontribute që ka derdhur, ka dalë në muajin e parë të pensionimit me pagesën 14 350 lekë. Formula e llogarit pensionin sa 1% e viteve të punës plus pensionin social. Pra, me reformimin e skemës, në vitin e parë të zbatimit të saj, pensioni minimal në qytet ishte 14.350 lekë, ndërsa pensioni maksimal 27 600 lekë. 8 vite më vonë pensioni më i ulët nuk mund të jetë nën 20 400 lekë. Koço Broka, eksperti i pensioneve u shpreh për “Money”: Cili është pensioni minimal. Vitin e kaluar, baza e vlerësuar ishte 81 mijë lekë. Këtë vit, baza e vlerësuar duhet të rritej. Por me bazën e vlerësuar të vitit të kaluar, del që pensioni minimal është (38:15*81=20400 lekë) 20400 lekë. Kaq është pensioni minimal në qytet dhe në fshat, pra 1 fermer që ka paguar kontribute për 38 vjet merr 204 mijë lekë. Kemi një problem sepse është barazuar shpërblimi në pensionet e fshatit dhe qytetit, por nuk është barazuar diferenca në taksë e pagimit të kontributeve midis fshatit dhe qytetit.
Shqipëria rrit moshën e daljes në pension
Kujtojmë se çdo vit në Shqipëri rreth 15 mijë njerëz dalin nga mosha e punës, për të marrë emrin apo statusin pensionist. Numri i këtyre të fundit po rritet, ndërsa njerëzit që janë në moshë aktive po ulet me ritëm më të shpejtë. Dy janë faktorët kryesorë, largimi jashtë vendit dhe zgjedhja për të lindur pak fëmijë dhe në moshë madhore. Kjo sjellje po tkurr popullatën aktive për punë me 30 deri në 40 mijë njerëz në vit. Në vitin 1990, mosha mbi 65 vjeç zinte vetëm 5.5% të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Sot, gjenerata e të moshuarve zë 16% të totalit dhe me zhvillimet demografike, pritet që në vitin 2050, numri i tyre të jetë sa çereku i popullsisë. (grafik) Plakja e Shqipërisë po pason atë që nisi më herët në kontinent, e që u quajt plakja e shpejtë e Europës, duke goditur në këtë mënyrë skemën tradicionale të pensioneve. Koço Broka ekspert i pensioneve deklaroi për ‘Money’: “Duke u mbështetur në skenarët e projeksionit të popullsisë, del se sot jemi në skenarin më të ulët dhe popullsia do të ulet ndjeshëm në 2030-n dhe aq më tepër popullsia në moshë pune. Kjo do krijojë vështirësi reale për mbulimin e pensioneve, për rrjedhojë duhen marrë masa. Sistemi i pensioneve është përcaktuar si skicë ose një përbërje kushtesh ligjore, monetare dhe financiare që përcakton rregullat dhe kriteret për funksionimin e tij, ku individët që kanë arritur moshën e pensionit, marrin një pagesë që është rezultat i kontributeve që kanë derdhur në arkat e shtetit. Shqipëria, si shumë vende komuniste, përballet me probleme të shumta ekonomike, sociale që e pengojnë gjithnjë e më shumë zhvillimin e vendit në kuadrin e një ekonomie të lirë. Një nga këto probleme është edhe sistemi i pensioneve. Ndërkohë eksperti i ekonomisë Selami Xhepa u shpreh: “Treguesit demografikë, të cilët janë vrastarë për skemën sepse edhe aktualisht ne kemi gati më pak se 1.1 të punësuar për 1 pensionist dhe me këto trende demografike të plakjes së popullsisë dhe të normave të punësimit, këto do të vazhdojnë të përkeqësohen edhe më shumë, çka bën që e vetmja alternativë për reformën e pensioneve të jetë rritja e lartë e produktivitetit dhe për pasojë rritja e lartë të pagave, e cila do sjellë kontribute më të mëdha për t’u shpërndarë gjë që është një ekuacion i vështirë në të ardhmen e afërt, prandaj duhet menduar për skema të tjera alternative”.