MENU
klinika

E paprecedentë në basketboll

Grushta mes vajzave të Tiranës dhe Partizanit në derbi!

20.04.2023 - 13:41

Kampionati kombëtar i basketbollit për femra vijoi dje me gjysmëfinalen e radhës. Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, Partizani mundi 86-83 Tiranën, duke eliminuar vajzat bardheblu në derbin e dytë. Fundi i ndeshjes ka prodhuar skena jo të denja në parket, me të dyja kampet që janë përfshirë në një sherr masiv, teksa nuk kanë munguar grushtat mes basketbollisteve.

Gjithçka ka ndodhur në pëfundimin e ndeshjes, kur Ebi Dishnica e Tiranës dhe Antoinette Alyssa Bannister e Partizanit nuk i kanë mbajtur nervat. Ka qenë basketbollistja e Partizanit që ka grushtuar Dishnicën, me këtë të fundit që ia ka kthyer me të njëjtën monedhë. Duket se gjithçka ka ndodhur pas fyerjeve raciste.

Në parket me pas kanë mësyrë edhe familjarët e lojtares së Tiranës, teksa edhe stafet dhe basketbollistet e dy kampeve janë përfshirë në të shtyra, grushta dhe rrëzime në parket. Pas shumë minutash kaos, situata është qetësuar, për të shënuar një ngjarje jo të hijshme në basketbollin e femrave të Shqipëri.

Pas dhunës mes basketbollisteve në derbin mes Partizanit dhe Tiranës në kampionatin kombëtar të basketbollit, ka reaguar edhe klubi i kuq. Në reagim thuhet se basketbollistet e kuqe janë ofenduar në baza racore dhe se çështja do ndiqet ligjërisht.

“Duke marrë shkas nga publikimet e mediave të ndryshme online, kemi të drejtën të publikojmë pamje filmike ku dallohet qartë përfshirja e sportisteve të ekipit kundërshtar si dhe goditjet e tifozëve nga jashtë nxitur nga stafi i ekipit kundërshtar. Goditje nga djem kundrejt lojtareve amerikane dhe lojtareve të Tiranës të cilat përgjatë gjithë takimit kanë kryer akte të dhunshme dhe ofendime sidomos në baza raciale kundrejt lojtareve tona. Një shfaqje e turpshme pas dy ndeshjeve të fituara nga ekipi me më shumë dëshirë, me përgatitje më të mirë taktike dhe dukshëm superior në parket”, thuhet fillimisht në reagimin e Partizanit.