“Në zemrën e trazuar nga kujtimi, nuk ka vend për shpresë”.
Alfred dë Myse lindi më 11 dhjetor 1810 në një familje franceze tejet të kultivuar dhe të dashur. Shpeshherë karriera e tij letrare cilësohet si e ndritshme, inkandeshente, e ngjashme me jetëgjatësinë e shkurtër të artistit.
Poet, dramaturg, por edhe romancier, Myse njohu famën e dëshiruar në shekullin ku jetoi, para se ta mbulonte tisi i harresës për njëfarë kohe.
Gjatë shekullit të njëzet vepra e tij u shfaq akome edhe më e sukseshme, kryesisht me përshtatjen për ekran të veprës “Rrëfimi i fëmijës së shekullit”.
“Fëmija i tmerrshëm” i romantizmit filloi të shkruajë vargje që në moshën katërmbëdhjetë vjeç.
Nxënësi i shkëlqyer, poet i jashtëzakonshëm dhe plëngprishës, i braktisi shpejt studimet e ndryshme që ndërmori për t’iu kushtuar vetëm letërsisë. Fare i ri u prezantua në “Cenacle”, sallon i Nodier, të cilin e frekuentonte rregullisht, veçanërisht në shoqërinë e Vinjisë.
Botoi koleksionin e parë me poezi “Rrëfime të Spanjës dhe Italisë”, ende pa mbushur nëntëmbëdhjetë vjeç, vepër e cila e shpërbleu me sukses të menjëhershëm. Në vargjet e tij, Myse privilegjon ndjenjën e brendshme, me stilin e tij na bën ta ndiejmë emocionin, ta shpërndajmë atë nëpërmjet prizmit të letërsisë.
Varieteti i prodhimtarisë së autorit pasqyron përshtatjen e penës së tij me diversitetin dhe intensitetin e emocioneve të përjetuara.
Në 1833 Myse u takua me Xhorxh Send, me të cilën pati një marrëdhënie sa pasionante, aq edhe të trazuar, një burim i vërtetë frymëzimi.
Në të vërtetë, dhimbja është në qendër të krijimtarisë së autorit, si rrjedhojë vuajtja e madhe që ai do ndiejë gjatë kësaj marrëdhënie me Sendin, apo edhe pas ndarjes së tyre, do ta frymëzojë të nxjerrë në dritë disa prej kryeveprave të tij, duke përfshirë “Netët”, “Letër Lamartinit” ose “Kujtim”.
“Rrëfimi i fëmijës së shekullit” lindi po në këtë kontekst, në vitin 1836, një vepër midis trillimit dhe autobiografisë.
Në të vërtetë, nëse pasioni që ndiente për Xhorxh Send nuk është i vetmi motivim, burimi kryesor i “Rrëfimi i fëmijës së shekullit”, është katalizatori për shkrimin e këtij teksti unik dhe të dhimbshëm. Ka shkruar po ashtu edhe “Kontesha Gamiani”, “S’bëhet shaka me dashurinë”, “Nata veneciane”, etj. “Rrëfimi i një fëmije të shekullit karakterizohet” nga një aspiratë e dyfishtë, një tension ndërmjet individit dhe epokës së tij.
Origjinaliteti i stilit të Mysesë tek “Kapriçot e Marianës” apo “Lorenzaçio” e kanë pikëmbështetjen tek ironia, e dëshpëruar, por therëse, që ekuilibron gjithnjë tek ai shprehinë romantike të jetës së keqe dhe të dëshpërimit të personazheve të tij.
Tek Myseja dëshpërimi dhe ndjenja e tragjikes, e kanë burimin kryesisht nga ndjesia e zbrazëtisë së ekzistencës, por edhe nga marramenthi i kotësisë së jetës, pafuqia e gjuhës në komunikim, në njëfarë mënyre, për të kapur botën.
Më shumë se një lirik, frymëzimi i tij është i një moralisti të kthjellët, që heton kontradiktat, të pakalueshme dhe shkatërrimtare të qenies njerëzore.
Ai analizon me pesimizëm, nisur edhe nga eksperienca personale, vështirësitë e sinqeritetit, të dashurisë, të nderit dhe të angazhimit politik. Vdiq më 2 maj 1857.
“Zoti fle dhe bota është ëndrra e tij”.