Seriali në Netflix, i titulluar “Mbretëresha Kleopatra”, i cili tregon jetën e mbretëreshës së Egjiptit, ka shkaktuar shumë bujë. Platforma u padit për shkelje të ligjeve të medias në Egjipt.
Arsyeja pas gjithë kësaj nuk është tjetër veçse zgjedhja e aktores me ngjyrë, Adele James për rolin kryesor. Komentuesit e akuzojnë Netflix-in për shtrembërim të historisë, me shumë veta që vërejnë se këto zgjedhje nuk kanë kuptim, por janë bërë thjesht për arsye komerciale.
Ndërkohë, Netflix duket se është detyruar të çaktivizojë komentet në trailerin e ri të Mbretëreshës Kleopatra pas reagimeve masive në internet. Seriali shkaktoi valë reagimi në mediat sociale, aq sa Netflix u detyrua të hiqte plotësisht opsionin që njerëzit të komentonin.
Edhe pse seriali dokumentar nuk është transmetuar ende, nga traileri është e qartë se monarkja është portretizuar si një grua me ngjyrë, ndoshta me “prejardhje të keqkuptuar”. Një nga personat që flet në klipin e shkurtër thotë: “Mbaj mend që gjyshja ime më tha: “Nuk më intereson çfarë mësojnë në shkollë, Kleopatra ishte e zezë”.
Pikërisht për këto arsye, avokati Mahmoud Al-Shemari nga Egjipti hodhi në gjyq platformën e famshme të transmetimit, duke kërkuar çaktivizimin e serialit dhe duke pretenduar se po përpiqet të fshijë historinë egjiptiane. Sipas faqes së internetit “Cairo24”, Al-Shemari synon të marrë të gjitha masat ligjore ndaj përgjegjësve, në mënyrë që “të ndalojë përfshirjen e Netflix në “një krim të tillë”.
Në deklaratën që ka bërë ai thotë: “Është vërejtur se në periudhën e fundit platforma Netflix transmeton materiale vizuale dhe përmbajtje që cenojnë kontrollin e përmbajtjes së medias, gjë që jemi mësuar në shoqëritë arabe dhe lindore në të gjitha vendet e rajoni arab dhe islamik, si dhe ajo që shfaq kjo platformë është në kundërshtim me vlerat dhe parimet e kulturës islame dhe veçanërisht egjiptiane”
Më pas ai shpjegon se Netflix “e shkeli faktin” se egjiptianët e asaj kohe kishin lëkurë të errët mesdhetare dhe përcolli gabimisht përshtypjen se mbretëresha Kleopatra ishte me ngjyrë të zezë.
Pas reagimit të ashpër, një peticion i ri u shfaq në Change.org që kërkonte anulimin e dokumentarit, pas këtij “falsifikimi të historisë”.
“Queen Cleopatra” do të shfaqet premierë në Netflix më 10 maj. Në rolet kryesore janë Adele James, Craig Russell dhe Jada Pinkett Smith.