Historia thuajse 63 vjeçare e energjisë bërthamore në Gjermani përfundoi të shtunën e kaluar. Më 15.04.2023 u nxorrën nga rrjeti dhe u mbyllën edhe tre centralet e fundit bërthamore: në orën 22:37 centrali Emsland në Saksoninë e Poshtme, në lindje të Gjermanisë; në orën 23:52 centrali Isar 2 në Bavari, në jug dhe së fundi, në orën 23:59 centrali Neckarwestheim në Baden-Vyrttemberg, në jugperëndim.
Kështu mori fund edhe zgjatja katër mujore për këto centrale, e vendosur vjet pas shpërthimit të luftës kundër Ukrainës, për të plotësuar ndonjë boshllëk energjetik në dimër. Tre centralet e fundit bërthamore siguronin rreth 6% të nevojës gjermane për energji.
Kritikë të braktisjes thanë se kemi të bëjmë me një akt ideologjik, që lidhet me frikën nga një aksident bërthamor dhe nga mbeturinat bërthamore. Por në rastin e Gjermanisë, centralet bërthamore të së cilës plotësonin standardet më të larta botërore të sigurisë, sipas tyre ky është keqinformim.
Megjithëkëtë, me përjashtim të deklaratave sporadike në media të ndonjë politikani e eksperti, se është pa vend mbyllja e centraleve bërthamore pikërisht në këtë kohë kur mirëpritet çdo burim energjetik, protestat thuajse munguan. Nga ana tjetër, kundërshtarët e energjisë atomike në Gjermani e brohoritën fitoren e braktisjes së energjisë bërthamore.
Qëndrimi ndaj energjisë atomike ndryshoi disa herë në dekada
Braktisja e energjisë bërthamore në Gjermani u bë në një kohë kur opinioni publik në Gjermani e mbështet përdorimin e saj. Në gusht 2022, pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, 67 % e gjermanëve u shprehën që centralet bërthamore të mbahen edhe pesë vjet të tjerë. 41 përqind madje kërkuan në sondazhin e revistës Spiegel ndërtimin e centraleve të reja.
Por debati pro dhe kundër energjisë bërthamore ka gjysëm shekulli që e ndan shoqërinë gjermane. Jo vetëm opinioni, por edhe politikanët drejtues, veçanërisht CDU/CSU dhe FDP kanë kundërshtuar disa herë qëndrimet vetjake të mëparshme për këtë temë.
Mbylljen e centraleve të fundit bërthamore në vitin 2022 e pati vendosur së fundi kancelarja Angela Merkel. Në vitet 2010-2011 Merkeli bëri dy kthesa të kundërta në këtë drejtim. Sidomos pas një fushate të koncerneve industriale e energjetike gjermane, ajo anuloi vendimin e vitit 2002 të qeverisë socialdemokrate të Gerhard Schröderit për braktisjen e energjisë bërthamore. U vendos që centralet bërthamore të mbahen në punë deri në vitin 2036. Por vetëm pak muaj më vonë, shoku i shkaktuar nga aksidenti bërthamor në Fukushima të Japonisë, solli kthesën tjetër. U vendos që centralet bërthamore të mbyllen jo më larg se viti 2022.
Evropa ecën drejt energjive të ripërtëritshme. Ndonëse braktisja e atomit kritikohet si ideologjike, shkruan Auron Dodi.
Arsyeja për vendimin e Merkelit nuk ishte vetëm siguria e centraleve. Ishte fryma e përgjithshme në Gjermani në atë kohë e drejtuar kundër energjisë atomike. Sa për ilustrim: 30 vjet më parë energjinë bërthamore në Gjermani e mbështesnin vetëm 3 % e popullatës. Në vitin 2010 situata ishte e ngjashme.
Triumf i lëvizjes antibërthamore në Gjermani
Braktisja e energjisë bërthamore në Gjermani është padyshim një triumf i lëvizjes antibërthamore. Militantët më të zëshëm të kësaj lëvizjeje sot janë të moshuar. Por një pjesë e tyre e bartin mendësinë në establishmentin politik, pjesë e të cilit janë bërë.
Burimin për suksesin e kësaj lëvizjeje ndaj lobit të fuqishëm industrial në Gjermani disa ekspertë e shohin jo së fundi te sistemi i decentralizuar, konsensual politik Gjermanisë.
Faktor tjetër që e ndihmoi këtë lëvizje është ndërrimi i brezave. Në protestat kundër energjisë bërthamore, nisur në vitet 1970, u formuan politikanët e gjelbër dhe shumë politikanë socialdemokratë, që erdhën në krye të Gjermanisë në vitet 2000. Në protestat antiatomike të viteve 1980 i ka pjesërisht fillimet dhe partia Aleanca 90/Të Gjelbrit, sot në pushtet në Gjermani. Megjithëse tani opinioni e mbështet energjinë bërthamore, ministri i Gjelbër i Ekonomisë, Robert Habeck kujtoi se “epoka e energjisë bërthamore ka mbaruar”. Në qeveri nuk e kundërshtuan më, edhe për të shmangur një krizë të rëndë qeveritare.
Evropa ecën drejt energjive të ripërtëritshme. Ndonëse braktisja e atomit kritikohet si ideologjike, shkruan Auron Dodi. Demonstratë e lëvizjes antibërthamore, 22.06.1986Evropa ecën drejt energjive të ripërtëritshme. Ndonëse braktisja e atomit kritikohet si ideologjike, shkruan Auron Dodi.
Gjermania – e veçuar nga tendenca në BE në mbështetje të energjisë bërthamore?
Megjithë përshtypjen që krijohet nga lajmet e fundit mediatike, në BE nuk mund të flitet për një tendencë në mbështetje të energjisë bërthamore. Pasi nga 27 shtetet e BE, 13 prodhojnë energji bërthamore, 14 nuk prodhojnë.
Në kampin kundër energjisë bërthamore është Gjermania me shumë mbështetës, sidomos me Austrinë dhe Spanjën; në kampin pro energjisë bërthamore është kryesisht Franca dhe vende evropianolindore.
Mbështetje më të madhe energjia bërthamore ka në Kinë, në Indi e vende në zhvillim. Pjesa më e madhe e reaktorëve bërthamorë që ndërtohen në botë sot janë të prodhimit kinez dhe rus. Nga vendosmëria e këtyre shteteve për ta zhvilluar energjinë bërthamore për qëllime civile do të varet edhe e ardhmja e kësaj energjie në botë.
Në Evropë, tendenca ecën drejt braktisjes së energjisë bërthamore, konstatojnë ekspertë të njohur. Kjo megjithë përurimin e centraleve të reja bërthamore, si ai në Finlandë këtë muaj. Në tre dekadat e fundit në Evropë janë ndërtuar pak centrale bërthamore, për të siguruar të ardhmen e energjisë bërthamore.
Gjithashtu, ndërtimi dhe mbajtja e centraleve bërthamore është shumë e kushtueshme. Ndërsa kostoja e energjisë diellore ka rënë me 90%, kurse kostoja e energjisë së erës me 70%. Centralet bërthamore nuk konkurojnë dot me këtë.
Evropa ecën drejt energjive të ripërtëritshme. Ndonëse braktisja e atomit kritikohet si ideologjike, shkruan Auron Dodi. Centrali
Vendim për zhvillim të vrullshëm të energjive të ripërtëritshme
Shkëputja nga energjitë fosile në Gjermani do të jetë graduale. Si burim energjetik tranzitor, Gjermania i përmbahet gazit. Pas ndërprerjes së furnizimit të Gjermanisë me gaz rus, Gjermania ka ndërtuar 2 terminale për gaz të lëngshëm LNG. Në plan janë që të ndërtohen 12 terminale të tilla, për të furnizuar me gaz edhe shtete të tjera të varura më parë nga gazi rus, si p.sh. Austria, Çekia e Sllovakia.
Viti 2030 është përcaktuar në planet e qeverisë gjermane si vit i rëndësishëm për kthesën energjetike. Deri në këtë vit Gjermania ka vendosur të shkëputet nga qymyri si burim energjetik. Ky është vendimi i qeverisë. Nga termocentralet me qymyr vitin e kaluar (2022) u sigurua 32,3 % e energjisë elektrike.
Por më shumë, 44% e energjisë, u sigurua nga burime të ripërtëritshme. Deri në vitin 2030 pjesa e energjive të ripërtëritshme është vendosur të rritet në 80%. Për këtë, deri në vitin 2029 duhet të instalohen 6 (5,8) turbina ere në ditë. Një synim ambicioz, por që qeveria është e vendosur ta arrijë.
Ndërkohë, teknikët në Gjermani kanë shumë punë përpara edhe për të çmontuar centralet e mbyllura bërthamore. Veç 3 centraleve që u mbyllën së fundi janë edhe 30 të tilla që duhen çmontuar përfundimisht. Së bashku me strehimin e mbeturinave bërthamore kjo pritet të zgjasë deri 15 vjet./DW