MENU
klinika

Parisieni 95-vjeçar

Sfiduesi që e shndërroi librarinë e tij në thesar botëror

24.04.2023 - 12:42

Libraritë e vjetra i ngjajnë atyre thesareve të groposura thellë në kohë, zbulimi i të cilave mbetet ngjarje, jo dhe aq për çmimin se sa për vlerën që bart në shpërfaqjen e potershme të dritës. Ata struken atje në kthinat e rrugëve të qyteteve të mëdha, porsi ajo pafajësia që i druhet çdo hapi kuturu e ndihet përplot me jetë aty ku ka gjithnjë pak dritë dhe pak ajër që përzihet me aromën e letrës, bojës, e parfumeve të adhurimit ku u zhytën në pritjen që është e pambarimtë dhe padurimin e mbetur diku nëpër adresa të gabuara e jetëve të këputura beftas.

Në fotot e Timothée Damas (https://www.instagram.com/timdamas/?hl=fr) shohim një zotëri që mban mbi kurriz 95 vite të jetës në “Umberto Arte Bookstore in Paris”. Nën atë peshë ku ai përkulet, rri ai si një misionar në kryq, rri shenjtëria e asaj që ai besoi vite e vitet, ndërsa drejtonte një librari që u hap shumë dekada më parë në Paris, për të mbetur një thesar. Me gjithë moshën, taksat e larta dhe vështirësitë e ndryshme, ky zotëri hap librarinë e tij të vogël gjashtë ditë në javë. Pret e përcjell kureshtarë, blerës dhe porositës, me një pasion që ka mbushur shpirtin e tij përgjatë gjithë atij kalvari. Në ato pak metra katrorë, rafte që rëndojnë nga pesha dhe mosha, duart e tij delikate gjarpërojnë dhe sytë e ujtisur kullotin si në një lëndinë yjesh në pikasjen e një shkreptime të beftë shkëlqimtare.

Libraritë e vjetra janë ato pak tempuj të mbetur, ku ende kundërmon temjan shenjtërimi, ku zërat e kakohshëm e shpirtrat e përjetësisë rrinë të strukur në fletët e vërdhemta e kopertinat hijerënda si porta katedralesh.

Ata janë të magjishëm në atë vend ku libri erdhi për të mbetur magjepse dhe adhurim. Në zhguallin e këtij përjetimi të beftë e mistik, ka diçka që rrekesh ta formësosh në fjalë e kumtosh në përjetim. Është një gjendje prej fryme që të mban pezull. Është një valë mendimesh e trandje përfytyrimesh, që të ngërthen si një përqafim që të zë hutuar dhe të lë pa frymë.

“Unë marr frymë, duke u kënaqur në atë aromën e veçantë të librit. Ka vetëm një gjë që më pëlqen më shumë se aroma e bukës së freskët dhe kjo është aroma e librave. Dyqani i … është një kombinim i librave të përdorur dhe të rinj, dhe aroma më duket dehëse. Ka diçka për parfumin e letrës në çdo fazë të mundshme për një libër: krejt i ri, i nxehtë jashtë shtypshkronjës, i vjetër prej dekadash, i mbuluar me pluhur dhe lagështi. Po, ndoshta është pak e çuditshme. Por nuk më intereson. Për mua është hyjnore’ mëton Sarah Echavarre Smith. Dhe vërtetë ashtu ngjan për çdo dashnor të librit kur mban në duar një libër dhe i merr erë, si një luleje apo qafës prej mjelme të të dashurës. Ai mbushet me këtë aromë dhe dehet me këtë ndjesi. Përjeton këtë çast si çdo sublimitet dhe harrohet në hutim e lexim, puthje e përqafim. Ndoshta prej të gjitha dashurive që ngopen me kundërmim, afshe e polen, ky ambrozi që dalldisi perënditë antike në Parthenonin legjendar, është frymëmarrja që ndjej në çdo nevojë për t’u ngopur me plotëninë që më shndërron në ajër./ Albert Vataj

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe