Parqet dhe kopshtet janë gjithmonë një zgjedhje ideale për të kaluar kohën e lirë, duke ecur, vrapuar ose thjesht duke u çlodhur në ajrin e pastër. Më poshtë, kemi renditur dhjetë parqet më të bukura nga e gjithë bota.
Kopshtet e “Las Pozas”, Meksikë
Krijuar nga poeti britanik, Edward James, midis viteve 1947 dhe 1949, kopshtet janë të frymëzuara nga stili surrealist. Ato përbëhen nga dhjetëra skulptura të mëdha dhe struktura arkitekturore të kombinuara me një gjelbërim të harlisur tropikal. Aty gjenden edhe pishina të shumta natyrore, prej nga ku kanë marrë emrin parqet.
Kopshtet e Villa d’Este, Tivoli, Itali
Vila d’este në Tivoli u përurua së bashku me kopshtet e saj në vitin 1572 dhe mbrohet nga UNESCO. Kopshti, vepër e Pirro Ligorio, organizohet në disa nivele duke filluar nga fasada e pasme e vilës e mbushur me bimë kacavjerrëse, e më pas vazhdon me tarracat dhe shpatet e mbjella me pemë e lule të rralla. Sigurisht, një kopshti të tillë klasik nuk mund t’i mungojnë elementet ujore si pellgjet me zambakë apo shatërvanët me statuja mermeri.
Parku i Pallatit Mbretëror Caserta, Itali
Ky park u projektua nga Luigi Vanvitelli dhe djali i tij Carlo dhe është një nga më të mëdhenjtë në Evropë. U krijua në mesin e shekullit të XVIII, mbulon 120 hektarë tokë dhe është frymëzuar nga planimetria e parqeve të mëdha evropiane, si Versaja dhe Schönbrunn.
Kopshti Botanik Mbretëror, Kew, Londër
Ndodhet shumë pranë me qytetin e Londrës dhe është një nga kopshtet botanike më të mëdha dhe më të rëndësishme në botë. Mbulon një sipërfaqe prej 120 hektarësh dhe përfshin hapësira të dedikuara për kopshtin tradicional anglez. Një kompleks serrash, një faltore ikonike e shekullit të 18-të dhe një qendër kërkimore botanike, janë pjesë e “Royal Botanic Garden”.
Kopshti Botanik i Bruklinit, Nju-Jork
I vendosur në zemër të Nju-Jorkut si një oazë në qytet, parku mbulon mbi 21 hektarë me pemë, shkurre dhe lule të shumta. Ndër të tjera, në të gjenden edhe pemë frutore, një kopsht aromatik, një me varietete të rralla, një tjetër vetëm me trëndafila dhe një me bimë ujore. Muzeu Cornelius Vander Starr Bonsai, si dhe një galeri arti janë gjithashtu të vendosura në “Brooklyn Botanical Garden”.
Keukenhof, Lisse, Holandë
Ky park botanik, i vendosur rreth tridhjetë kilometra nga Amsterdami, zotëron shumë hektarë me lule, por veçanërisht me tulipanë. Rreth 7 milionë tulipanë mbillen çdo vit, duke dhuruar një pamje spektakolare.
Kopshtet e Versajës, Paris, Francë
Me një sipërfaqe prej rreth 800 hektarësh, parku i Versajës është një nga kopshtet më të mëdha dhe më të vjetra në Evropë. Ndërtuar me urdhër të Luigjit XIV në vitin 1661, ato u projektuan nga André Le Nôtre dhe u deshën plot 40 vjet punë për t’i përfunduar.
Butchart Gardens, British Columbia, Kanada
Projektuar nga Jennie Butchart – e cila punoi me burrin e saj në vitin 1904 për të krijuar këtë kopsht fantastik duke përdorur tokën e një ish-guroreje – Kopshtet Butchart shtrihen në ishullin Vankuver. Përfunduar në vitin 1921, kopshtet ndahen sipas disa tematikave, duke përfshirë kopshtin japonez, kopshtin italian, kopshtin e trëndafilave etj. Në vitin 2004, ata u shpallën si një vend historik kombëtar i Kanadasë.
Kenrokuen, Kanazawa, Japoni
Kopshti konsiderohet si një nga më të bukurit në Japoni. Krijuar në shekullin e shtatëmbëdhjetë, dikur ishte pjesë e kështjellës Kanazawa. Është shtëpia e rreth 8750 pemëve dhe 183 llojeve bimore.
Kopshtet Generalife, Granada, Spanjë
Generalife, rezidenca verore e shumë sundimtarëve, rrethohet nga një kopsht i jashtëzakonshëm. Pjesë e kopshteve janë edhe oborret e shumta magjepsëse brenda ndërtesës, zbukuruar me bimë, pishina dhe shatërvanë.