Nëse Gazmend Bardhi dhe një pjesë e mbetur e Partisë Demokratike (Legale) do të kishin kurajën të silleshin normal dhe të mos bënin akrobaci politike, siç ka ndohur kohët e fundit, mund të kishte një prognozë për këtë formacion. Megjithatë, Berisha i ka mundur me armët e tyre. I bënë ballë në kulmin e egërsisë së tij dhe e lanë t’u merrte terren atëherë kur ishin të avantazhuar. Ky paradoks tregon realisht konfuzionin te kjo forcë. Një tregues, që ata realisht paçka çdo lloj justifikimi, e tregon se nuk e mbajnë dot kauzën e një opozite zyrtare. E para, se nuk duan të jenë edhe de facto faktor dhe të respektojnë një lidërship, qoftë dhe momental; e dyta se u mungon kuraja e përballjes. Sindroma e dembelizmit të Bashës është e plazmuar te pjesa më e madhe e tyre. Ndërkohë që koha dhe momenti u tregoi se duhej të punonin që të strukturonin realisht të Djathtën shqiptare. Që do të thotë nëse komuniteti i opozitës i mbledhur rreth narracionit të Berishës është pakthyeshmërisht “normal”, u duhej t’i jepnin identitet të fortë forcës së tyre. Ndaj Bejkos provuan se më shumë se kompleks ndaj tij për kurajën, kanë sensin, që pak herë mund të marrin gjëra përsipër. Partia Demokratike (Legale) është bërë një forcë që thjesht numëron vizitat e diplomatëve të huaj, sesa sfidat dhe idetë e veta. Ashtu si është edhe e vërtetë se ishin ata që i treguan në një farë mënyre pas Bashës vendin Berishës, por kjo është e pamjaftë, kur masa e tyre e do dhe e toleron personazhin, që e përçau keq opozitën.
Sot, kur ka mbetur më pak se një muaj nga zgjedhjet lokale të 14 Majit, ku mëtohet që opozita të kthehet në normalitetin e përfaqësimit të saj, PD-ja është e përçarë frikshëm dhe luftën më të madhe e ka brenda llojit. Paçka se mëtohet që në disa vende demokratët janë të bashkuar, narracioni i Berishës e nguc përçarjen, sepse ai është i vendosur që të gjithë pushtetin ta mbaj për vete dhe të projektojë ofendimi dhe baltosje. Dhe, për të ardhur keq, është se “Kompleksi i Rozafës” fle qartë tek ai dhe të tjerët, që e ndjekin pa edhe më të voglën mëdyshje. Nuk gjen në këto zgjedhje të thuhet një fjalë sesi do të shkohet më tej dhe çfarë është bërë mirë, ashtu si nuk gjenden fjalë bashkëpunimi. Kjo sikur zgjedhjet të jenë të përgjithshme dhe jo lokale. Fryma e përçarjes së PD-së po i dominon dhe këto zgjedhje, duke i lënë PS-së të eksperimentojë në fushatën e saj, sikur është duke e bërë në vendet skandinave. Që duhet t’i njihet si meritë ndërkaq.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë tepër i hidhur për opozitën, nëse fiton PS-ja në atë masë që po mëton, por do të jetë edhe më e hidhur për publikun, nëse pushteti lokal do të jetë në masë me ngjyrën e socialistëve. Ndaj 15 Maji është dita e kthesës së madhe, të paktën te opozita për të kuptuar sesi do që të dalin zgjedhjet, duhet të nisi të vendosë pikat mbi “i” në rradhët e saj. E para, të bashkohen dhe e dyta të bëjnë një Kuvend, ku PD-ja e re të kthehet, por jo me kujtimin e së vjetrës. Ky është skenari i optimizmit, sepse deri më tani, kjo forcë po e tregon hapur, se e ka mbyllur misionin e saj. Përçarja e tyre është thjesht pasojë e humbjes së kauzave dhe e rotacionit të munguar brenda partisë. 15 Maji është fillimi i fundit për PD-në, nëse do të ekzistojë realisht.