Kampionati kombëtar i volejbollit për femra është në fazën finale. Në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” në Korçë, Skënderbeu mundi 3-1 me sete Partizanin, për ta dërguar serinë e finaleve në 2-2. Gjithçka për kampionen e këtij sezoni do vendoset të premte në 18:30 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.
Mes 2000 tifozëve në “Tamara Nikolla”, vajzat e Orlando Kojës e mbyllën setin e parë në avantazh 25-23, duke treguar kush ishin të zonjat e shtëpisë. Edhe në setin e dytë korçaret fituan 25-19, teksa në të tretin vajzat e kuqe shkurtuan për 21-25. Seti i katërt dhe ai final foli për Skënderbeun, që e mbylli 25-16.
Te vendaset, më e mira në parket me 32 pikë të realizuara ishte Kayla Desiree, teksa te Partizani 16 pikë shënoi Flavia Ortiz. Finalja e madhe e sezonit në volejboll për femra do zhvillohet të premte në “Asllan Rusi”, me ndeshjen e pestë që do kurorëzojë fituesen e sezonit. Korçaret kërkojnë të mbajnë kurorën, duke qenë kampionet në fuqi.