MENU
klinika

Organizatat: Ishte shtatzënë

RMV/ Po kalonte kufirin, vritet emigrantja nga policia

26.04.2023 - 11:24

Fatmata quhet emigrantja 23-vjeçare e cila vdiq të mërkurën e kaluar duke kaluar kufirin ilegalisht nga Greqia për në Maqedoninë e Veriut. Mediat vendase shkruajnë se kjo ngjarje është lënë në heshtje nga autoritetet për thuajse një javë. Në momentin që organizata për emigrantët, “Second tree”, ka vënë alarmin, ka ardhur edhe reagimi nga autoritetet vendase.

Sipas një versioni zyrtar të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, emigrantja u vra nga një polic, pasi një prej personave që ndodhej me të ishte konfliktuar me efektivin dhe kishte tentuar t’i marrë armën. Gjatë përleshjes, efektivit i është shkrepur arma e zjarrit dhe ka mjaftuar një plumb që Fatmata të bjerë në tokë e pajetë.

Organizata “Second Tree”, e cila punon në kampet e refugjatëve në pjesën veriore të Greqisë, në llogarinë e saj zyrtare në twitter shkruan se Fatmata u vra nga një polic maqedon.

“Fatmata ka vdekur. Ajo u qëllua nga policia në Maqedoninë e Veriut të mërkurën. Ajo sapo kishte kaluar kufirin nga Greqia, vendi që i kishte mohuar azilin. Ajo ishte e ngrohtë, entuziaste dhe e gëzuar. Nëse nuk do ta dinit, as që do ta merrnit me mend se ajo jetoi në një kamp refugjatësh, ishte 23 vjeçe. Ajo ishte plot jetë, gjithmonë e gatshme për të ndarë forcën dhe energjinë e saj dhe i pëlqente të kërcente. Ajo kërceu dhe këndoi “me majë të zërit”, siç e përshkruan motra e saj Brintina. Mendoni për atë, sepse kështu do ta kujtojmë. Ajo ishte pjesë e organizatës sonë”, shkruan Second Tree.

“Fatma kishte edhe bashkëshortin e saj me vete në momentin që po kalonin kufirin. Me Abubakarin njihej që fëmijë. Ata shpesh e quanin njëri-tjetrin “gjithçka e imja”. Dy muaj para se të vritej, Fatmata i tha Abubakarit se ishte shtatzënë, por duke qenë se nuk kishin dokumente dhe para, nuk bënë kurrë një test shtatzënie. Ai ishte i pranishëm kur u qëllua Fatma. Ai thërriste emrin e saj, lutej për ndihmë, thonë nga organizata “Second tree”, duke shtuar se ka edhe një video ku Abubakar përqafon Fatmën teksa ajo po vdiste nga plaga me armë zjarri,”- vijohet më tej në reagim.

Menjëherë më pas, bashkëshorti i Fatmës u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për një ditë pa asnjë lajm për gruan e tij. Mediat maqedonase shkruajnë se atij i është ofruar që ta lënë në kufi me Serbinë që të vazhdojë jetën, por ai ka deklaruar se “kërkon drejtësi për Fatmën”.

Giovanni dhe Juliet nga organizata “Second Tree” tani janë me Abubakar në Maqedoninë e Veriut. Ai ende nuk e di se ku ndodhet trupi i Fatmës dhe kërkon ta shohë.

Bashkëshorti i Fatmatës tregon momentet e fundit që ka kaluar me të para se ajo të vritej. Dëshira e Abubakarit, siç ka bërë të ditur organizata, është që bota ta dijë këtë rast. Të njëjtën dëshirë ka edhe familja e Fatmasë, e cila ishte më e vogla nga pesë vëllezërit e motrat.

Deri më tani janë arrestuar vetëm dy persona të dyshuar për veprën e kontrabandës me emigrantë.

Raporti për ngjarjen e 20 prillit:

Policia ka ndaluar transportuesit ilegal të emigrantëve dhe ndërkohë që policët kanë tentuar të arrestojnë njërin prej tyre, ky i fundit e ka sulmuar fizikisht zyrtarin policor dhe gjatë sulmit është shtënë një plumb nga arma e policit, e cila ka shkaktuar pasoja fatale duke përfunduar në trupin e një gruaje emigrante e cila ishte në karrigen e pasme të automjetit. Për të hetuar përgjegjësinë e punonjësit të policisë, prokuroria ka ngritur çështjen dhe ka lëshuar urdhër për ekspertizë të vijave papilare të armës zyrtare, si dhe gjurmë të tjera, në bazë të të cilave do të konstatohet se kush ka qëlluar me armë zjarri që i shkaktoi vdekjen e emigrantes.