Kryetari i Komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj u ka kërkuar qytetarëve në Shkodër votën për kandidatët për këshillat bashkiakë në zgjedhjet e 14 Majit. Ai thotë se zgjedhja e sa më shumë anëtarëve në Këshillat Bashkiakë do të ndikojë dhe në bashkimin e demokratëve.
“Do të jenë kandidatët që jo vetëm politikisht, por edhe praktikisht do t’i hapin bashkitë dhe do t’i çojnë ato pranë qytetarëve. Gjithë shkodranët, gjithë shpirtrat e lirë do duhet të bëjnë një gjë më 14 Maj, të votojnë Partinë Demokratike.”
Alibeaj sulmoi dhe kundërshtarët e tij politik, duke thënë se Rama Berisha dhe Meta kanë një aleancë anti-perëndimore.
“Secili prej tyre për interesa personale janë lidhur në një aleancë okulte anti-perëndimore. Një pushtet i korruptuar dhe një pjesë e ashtëquajtur opozitë, e korruptuar po ashtu. Shkëmbejnë, japin dhe marrin gjithçka.”
Ai thotë se Berisha synon zhbërjen e PD.
“Sali Berisha bëri një zgjedhje, mori kazmën për t’i rënë Partisë Demokratike. Mori kazmën për t’u rënë demokratëve, vetëm e vetëm për hallin e vet personal. Qartësisht miqtë e mi, ai kërkon ta zhdukë PD dhe atë që mbetet prej saj.”
Alibeaj renditi dhe arsyet pse sipas tij, Berisha sulmon PD.
“Kërkon ta kthejë Partinë Demokratike në një bunker anti-amerikan. Sali Berisha kërkon të marrë monopolin e opozitës dhe duke bërë këtë vazhdon t’i japë oksigjen Edi Ramës. Sali Berisha po tenton të krijojë një lëvizje anti-amerikane në Shqipëri.”
Kryetari i Komanduar tha se PD pas zgjedhjeve të 14 Majit do të nis procesin e brendshëm zgjedhor, për t’u shkpëutur përfundimisht nga Sali Berisha.
“Partia Demokratike pas 15 Majit do t’i nënshtrohet një procesi për zgjidhjen dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të saj duke ju futur një procesi të ri demokratik, me rregulla të reja, me parime të reja. Për të lënë pas traditën berishiste, për t’u ndarë përfundimisht nga e kaluara.”
Edhe pse nuk ka kandidatë për kryetar në shumicën e bashkive të vendit, Alibeaj thotë se alternativa më e mirë për qytetarët më 14 Maj mbetet PD.