Rimëkëmbja ekonomike në Ballkanin Perëndimor u moderua në vitin 2022, e ndikuar nga pasojat e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, vuri në dukje Komisioni Europian në raportin e rregull tremujor për vendet kandidate dhe potenciale kandidate.
PBB-ja e rajonit u rrit me 3.2% krahasuar me 7.7% në 2021. Ngadalësimi ishte më i theksuar gjysmën e dytë të vitit dhe u ndikua nga Serbia, ekonomia më e madhe në rajon. Në tremujorin e katërt të 2022, PBB-ja e rajonit u rrit me vetëm 1.6% me bazë vjetore.
Konsumi privat dhe eksportet mbetën nxitësit kryesorë të rritjes në shumicën e vendeve të rajonit, ndërkohë që investimet treguan një ecuri të ndryshme, me rënie vjetore të regjistruara në disa prej vendeve.
Konsumi publik u tkurr në disa vende, duke reflektuar pjesërisht tërheqjen graduale të masave mbështetëse të lidhura me pandeminë.
Në përputhje me ngadalësimin e aktivitetit ekonomik, rritja mesatare e punësimit u ngadalësua në 1.4% në Ballkanin Perëndimor në vitin 2022. Rritja e punësimit ndikoi në uljen e papunësisë në në disa vende. Megjithatë, shkalla e papunësisë në rajon mbeti e lartë, duke filluar nga 9.4% në Serbi në rreth 17% në Kosovë (kjo e fundit pasqyron të dhënat më të fundit të disponueshme nga tremujori i parë i vitit 2022).
Shqipëria u rrit me 4.8% në rajon, që është e dyta më e larta në rajon, pas Malit të Zi me 6.1%. Ecurinë më të dobët e shënoi Serbia me 2.3%,
Zgjerimi i vazhdueshëm ekonomik dhe inflacioni i lartë mbështetën rritjen e të ardhurave buxhetore dhe balancat fiskale u përmirësuan pothuajse në të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në vitin 2022, me përjashtim të Malit të Zi, theksoi raporti.
Raportet e borxhit publik ndaj PBB-së u ulën në krahasim me fundin e vitit 2021, pjesërisht për shkak të rritjes së fortë të PBB-së nominale. Rënia e barrës së borxhit ishte më e theksuar në Mal të Zi dhe Shqipëri, por ato mbetën vendet me raportin më të lartë të borxhit me përkatësisht 69.5% dhe 64.6% të PBB-së në fund të vitit 2022.
Për Shqipërinë, Komisioni thotë se kredia u ngadalësua në dhjetor, ndërsa bankat shtrënguan standardet e kredisë, duke reflektuar shqetësimet për ecurinë e normave të interesit dhe aftësinë e ardhshme paguese të kredimarrësve. /Monitor.al