Asgjë nuk po shkon mirë te Bayern Munich. Teksa klubi bavarez po kalon sezonin e tij më të keq në një dekadë dhe mund të mos kurorëzohet kampion i Gjermanisë pasi Julian Nagelsmann u shkarkua për Thomas Tuchel, një hetim për pastrim parash po mbërthen tani klubin. Sipas informacionit të Bild të publikuar të premten më 28 prill, hetuesit nga Zyra Federale e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Zyrën e Policisë Kriminale të Shtetit Bavarez, kontrolluan të martën më 25 prill stadiumin Allianz Arena dhe shtëpinë e Bayern Munich-ut.
Arsyeja? Lidhje të dyshimta me oligarkun dhe miliarderin rus Alisher Usmanov (69 vjeç). Ky i fundit mban një lidhje miqësie me Vladimir Putinin dhe dyshohet se ka lëvizur para nga krime të tilla si evazioni fiskal midis 2017 dhe 2022.
Usmanov dhe Hoeness, një marrëdhënie e veçantë
Sipas informacioneve nga mediat gjermane, Uli Hoeness, president nderi i Bayern Munich dhe Alisher Usmanov kanë pasur një marrëdhënie të veçantë. Në të vërtetë, Hoeness thuhet se ka ofruar bileta VIP për ndeshjet kryesore të Bayernit në Ligën e Kampionëve në disa raste në të kaluarën, por më e rëndësishmja e ka ndihmuar Usmanov të qëndrojë fshehur deri në arratisjen e tij në mars 2022 në Bad Wiessee në liqenin Tegernsee.