Misioni i KFOR-it ka reaguar rreth vendimit për të hapur për qarkullim urën mbi lumin Ibër.
Nga KFOR kanë thënë se “rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik”.
“Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR-i.
Nga ky mision po ashtu kanë theksuar se “do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE-ja të mund të ecin përpara”.
Gjatë ditës së djeshme asamblistët e Mitrovicës Veriore kanë votuar për hapjen e qarkullimit të automjeteve në urën qendrore mbi lumin Ibër, e cila prej pas lufte është mbyllur nga serbët.
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka vendosur që ura qendrore e lumit Ibër, të hapet për qarkullimin e automjeteve dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Teksa ky vendim ka ngjallur reagime në Serbi, gjatë ditës së djeshme kanë folur edhe nga BE-ja.
Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se tani nuk është koha e duhur për ta ndërmarrë këtë veprim.
Në një adresim të tijin nga Forumi Ekonomik i Delphit në Greqi, ku pjesëmarrës ishte edhe kryeministri Kurti, Laçak dërgoi mesazhe parandaluese.
“Përderisa flasim, në Mitrovicë ka kërkesë për ta hapur urën dhe atmosfera dukshëm s’është e duhura për këtë. Dua ta shfrytëzoj këtë panel që të dërgoj mesazh se kjo është platforma e duhur (për dialogun), ky plan është fitore e dyfishtë, ka shumë përfitime për të dyja palët dhe duhet të respektohen vijat e kuqe”, ka thënë Lajçaku duke iu referuar Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.
Sipas tij, kjo mund të përbëjë një tjetër krizë në vend, derisa shtoi se vitin e kaluar në vazhdimësi Bashkimi Evropian është marrë me menaxhim krizash.
Lajçak ka shtuar se zgjidhja e çështjes Kosovë-Serbi është ndër sfidat më strategjike, pasi ka thënë se shqiptarët dhe serbët jetojnë në tërë rajonin.