Mbrojtësi i Romës dhe Kombëtares, Marash Kumbulla pritet të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit. Qendërmbrojtësi shqiptar pësoi një dëmtim të rëndë në barazimin 1-1 me Milanin në “Olimpico”.
Sipas Sky Sport , Kumbulla ka lënduar ligamentin e përparmë të kryqëzuar të gjurit të djathtë. Kjo do të thotë se lojtari ka të ngjarë të jetë jashtë fushës për muajt e ardhshëm.
Një lajm i rëndë edhe për kombëtaren shqiptare, me “Shqiponjat” që në muajin qershor luajnë dy ndeshjet kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe për eliminatoret e Euro 2024.
Ishte pikërisht përplasja me Giroud që pas 15 minutash nga ndeshja, Kumbulla të linte fushën duke mos vijuar dot më tej. Pritet që me mungesat e shumta në mbrojtje për shkak të dëmtimeve, Mourinho të marrë te Roma lojtar nga ekipi i të rinjve.