Edhe fushata e zgjedhjeve vendore e 14 Majit 2023, pothuajse nuk kishte opozitë, ashtu si ajo e kaluara. Kjo për faktin sepse mungonte partia, apo partitë opozitare, mungonin programet e tyre, alternativat, mungonin emrat e goditur që do të mund të garonin përballë kryetarëve të bashkive që rikandidojnë, apo dhe që u mandatuan nga Partia Socialiste.
Eshtë paradoksale se si, Partia Demokratike e cila 4 vite më parë braktisi Parlamentin dhe bashkitë, ende dhe sot nuk ka mundur të ringrihet në lartësinë e duhur politikisht. Ende ajo parti e ndarë në copëza, nuk ka arritur të bashkohet, nuk ka arritur të jetë kompakte lidhur me zgjidhjen e problemeve të brëndshme, duke u prezantuar para shqiptarëve me pabesueshmëri totale.
Berisha apo dhe Alibeaj, apo dhe një tjetër grupim që po krijohet brënda tyre, synojnë vulën dhe selinë, dhe askush nuk merakoset për fatin e asaj force politike. Prezantimi i emrave të atyre që Berisha i quan “kandidatët e fitores”, mbetet një spektakël pa kurreshtje nga ana e qytetarëve. Mungesa e betejave politike dhe elektorale, konstatohet sapo Berisha shkel në qytetet e vendit.
Me borizanët dhe militantët fanatikë të tij qytet më qytet, Berisha synon jo “mposhtjen” e Ramës dhe fitoren e bashkive (pasi nuk mundet) por fitoren mbi Alibeajn, marrjen e vulës dhe mbajtjen e selisë. Pa asnjë dyshim, kjo fushatë do të quhet “beteja e vulës” për Foltoren, dhe kurrë beteja për të fituar ndonjë bashki.
Mungesa e opozitës në fushata elektorale dhe jo vetëm, në çdo vend demokratik, mbetet fatale për vetë demokracinë. Por ja që, kjo që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë me Partinë Demokratike të copëzuar, nuk ishte menduar, dhe as kishte ndodhur diku tjetër në vendet ish-komuniste. Edhe pse nuk i ka interesuar kurrë, Edi Rama shpesh e ka ripërsëritur “nevojën e konsolidimit të opozitës sipas rregullave demokratike”. Kjo për faktin sepse Shqipëria sot më shumë se kurrë, mbetet në fokusin e faktorit ndërkombëtar, jo vetëm si një vend dinjitoz anëtar i NATO-s, por edhe si një favorit që pret ti bashkohet Bashkimit Europian.
Opozita e copëzuar, mbetet fatalitet i vetë ekzistencës saj. E kapur fort nga Sali Berisha, Partia Demokratike si forca kryesore e opozitës, mbetet sot në udhëkryq, duke rrezikuar ekzistencën e saj. Duke dashur ti imponohet pafundësisht asaj partie, ish-lideri historik mendon se “qëndrimi në postin e kryetarit de facto, mund ti lehtësojë atij pozitën në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar”.
Por duke parë reagimet e faktorit ndërkombëtar, kryesisht të SHBA-së, nuk është e vështirë të kuptosh faktin se, me Berishën në krye, ajo parti do të mbetet përfundimisht jashtë axhendës amerikane dhe europiane.