Lionel Messi është rikthyer në stërvitje me PSG-në. Në fazën finale të sezonit dhe në prag të shpalljes kampion në Ligue I, klubi nga Parisi i ka hequr pezullimin dy javor një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror.
Leo së bashku me familjen udhëtuan javën e shkuar për disa ditë në Arabinë Saudite, me klubin që nuk ishte njoftuar për diçka të tillë. Në kushtet kur lajmet për mosrinovimin e tij sa vijnë dhe shtohen, PSG vendosi që për dy javë mos e paguante, apo edhe mos e pranonte në stërvitje dhe në ndeshje.
Pas faljes që Leo bëri me një video në kanalet e komunikimit, PSG ka reaguar dhe ka rikthyer në ekip “Pleshtin”. Diçka e tillë është konfirmuar edhe nga klubi i Sheikëve në kanalet e komunikimit. Kontrata e Messit me PSG-në skadon këtë verë, teksa kampioni i botës pritet të largohet falas.