Përplasjet mes themeluesit të ushtrisë private mercenare ruse Wagner, Yevgeny Prigozhin dhe udhëheqjes ushtarake ruse janë bërë tashmë të zakonshme prej shumë kohësh, por javët e fundit akuzat dhe zemërimi kanë qenë më “të tërbuara” se kurrë. Në një video të 5 majit, duke iu drejtuar ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov, Prigozhin shqiptoi një sërë akuzash të rënda, duke i akuzuar ata se i kishin lejuar luftëtarët rusë të vdisnin. Katër ditë më vonë, ai postoi një video shumë më të gjatë, këtë herë duke akuzuar një njësi të ushtrisë ruse për braktisjen e pozicioneve të saj në Bahmut dhe foli për një “gjysh të lumtur” që nuk arrin të shpëtojë vendin e tij, dhe spekulohet se i referohej Presidentit Vladimir Putin.
Shqetësimi i Kremlinit
Media e pavarur ruse Meduza ka mësuar nga burime pranë administratës së Putinit se zyrtarëve të Kremlinit po i mbaron durimi me Prigozhin, pasi ai ishte i paaftë të mbante “premtimin personal” që i bëri presidentit rus. Kritikat e tij të fundit ndaj Ministrisë së Mbrojtjes ruse dhe deklaratat për situatën në fushën e betejës kanë filluar të “shqetësojnë seriozisht Kremlinin”, mësoi Meduza nga dy burime pranë Kremlinit. Një burim thotë se Prigozhin aktualisht nuk po vepron “si pjesë e të njëjtit ekip dhe jo nga të njëjtat interesa” si autoritetet ruse. “Ai ka projektin e tij, Bahmutin dhe po bën gjithçka për të për momentin. Por është një projekt personal, që synon t’i japë më shumë ndikim në Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë që Wagner të paraqitet si forca kryesore pas fitores”, tha burimi. Deklarata e Prigozhin për “gjyshin e lumtur”, sipas burimit, u prit edhe më negativisht në Kremlin. Një burim beson se Prigozhin në fakt nuk po fliste për Putinin, por një tjetër tha se deklarata nuk mund të konsiderohet një “sulm i drejtpërdrejtë” ndaj presidentit.
Një premtim i thyer
Burimet e Meduza thonë se sjellja e Prigozhin mund të lidhet me një “premtim personal” që ai i bëri Vladimir Putinit se grupi Wagner do të pushtonte Bahmutin deri në një datë të caktuar. Burimet nuk e dinë saktësisht se cila datë do të ishte ajo, por spekulojnë se Prigozhin mund të ketë “kaluar afatin” dhe se është nervoz për këtë. Ushtria ukrainase raportoi më parë se forcat ruse shpresonin të merrnin kontrollin e Bahmutit deri më 9 maj, gjë që ata nuk arritën ta bënin. “Për shkak të atij premtimi personal, ai po bën deklarata provokuese. Kjo është sjellje e pazakontë”, tha burimi. Disa burime të tjera thanë se Prigozhin e ka kaluar “vijën e kuqe” me deklaratat, lidhur me municionet dhe dështimet e ushtrisë ruse në fushë-betejë.
Mbrojtja e Prigozhin
Sipas burimeve, veprimet e kreut të Grupit Wagner mund ta fusin atë në telashe, pavarësisht lidhjeve të tij të ngushta me autoritetet e larta të Rusisë. “Njerëzit që e mbrojnë atë përfshijnë drejtorin e Gardës Kombëtare Ruse Viktor Zolotov, si dhe guvernatorin e Tulës dhe ish-truprojën e Putinit, Alexei Dyumin. Midis përkrahësve të Prigozhin ishte edhe miliarderi dhe aleati për një kohë të gjatë i Putinit, Yuri Kovalchuk, por sipas burimeve të Medusa, ai filloi të distancohej nga Prigozhin.Një burim nga një prej agjencive shtetërore të medias ruse thotë se agjencitë e propagandës së vendit kanë marrë tashmë një “paralajmërim” nga administrata e Putinit se nëse Prigozhin vazhdon të kritikojë Ministrinë e Mbrojtjes, gazetarët do të duhet ta bëjnë të duket se tradhtar i Rusisë.
Kërcënimet e Kremlinit
Washington Post raportoi më parë se Ministria Ruse e Mbrojtjes filloi përgatitjen e materialeve për një fushatë publike negative kundër Prigozhin, por megjithatë nuk arriti ta organizonte atë. Tani, sipas burimit të Medusa, administrata presidenciale po përgatit një fushatë të ngjashme, në rast se Prigozhin do të vazhdojë me këtë sjellje. Në të njëjtën kohë, burime pranë Kremlinit thonë se nuk mendojnë se autoritetet do të mjaftohen vetëm me këtë. “Për sa kohë që Ëagner është në fushën e betejës, ai ka aftësinë të dialogojë drejtpërdrejt me presidentin. Por nëse kjo vazhdon, forcat zyrtare të sigurisë me siguri do t’i japin fund.”