MENU
klinika

Armatime me vlerë 2,7 miliardë euro

Gjermania ofron paketë të re ndihme për Ukrainën

13.05.2023 - 22:06

Qeveria gjermane bëri të ditur një paketë të re armatimi për mbrojtjen e Ukrainës, më e madhja deri më tani. Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pritet të dielën në Gjermani, sipas qarqeve qeveritare.

Javët e fundit u diskutua, por mbeti e paqartë, nëse presidenti Zelensky do të vinte në Gjermani. Tani bëhet e ditur nga qarqet qeveritare, se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky viziton Gjermaninë në vizitën e parë të tij pas fillimit të luftës, njoftojnë disa agjenci mediash. Detaje të vizitës nuk janë bërë të ditura. Presidenti Zelensky nderohet të dielën me çmimin europian Karl të Aachen-it. Nuk dihet nëse Zelensky do të jetë në Aachen. Ish-ambasadori ukrainas në Gjermani, Melnyk tha në lidhje me çmimin për Zelenskyn dhe popullin ukrainas se “një çmim europian do të thotë për mua, që Gjermania të lëvizë më shpejt në drejtim të anëtarësimit të Ukrainës në BE dhe NATO.”
Të shtunën presidenti ukrainas ka qëndruar në Itali, ku ka zhvilluar takime në Romë me presidentin italian Mattarella dhe kryeministren, Giorgia Meloni. Në takimin me Zelensky, kryeministrja italiane ka thënë, se Roma po e tregon veten se është një aleate solide dhe e besueshme. Zelensky takohet edhe me Papa Françeskun në Vatikan.

Paketa më e madhe gjermane për armatimin

Para vizitës së presidentit ukrainas, qeveria gjermane bëri të ditur një paketë të re prej 2,7 miliardë eurosh për sisteme armatimi, ku bëjnë pjesë sisteme të mbrojtjes ajrore, tanke dhe municione. Njoftimi erdhi nga Ministria Gjermane e Mbrojtjes të shtunën, ku theksohet se Ukraina ndër të tjera do të marrë 30 tanke të tipit Leopard 1 A5 dhe 20 të tipit Marder. Në këtë paketë përfshihen ëdhe katër sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore, Iris, më shumë se 200 drone përgjues, municion etj. Të gjitha këto e më shumë nuk vijnë nga rezervat e Bundevehrit, por nga rezervat e industrisë dhe prodhimi i industrisë së armatimit. “Zbatimi i këtyre masave të vendosura nga qeveria gjermane ka filluar.”

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se “me këtë kontribut të vlefshëm për materialin e nevojshëm ushtarak ne tregojmë edhe njëherë, se Gjermania e ka seriozisht me mbështetjen e saj.” Sipas Spiegelit bëhet fjalë për paketën më të madhe gjermane të armatimit për Ukrainën. Qeveria ukrainase e përshëndeti këtë hap. Furnizimi me armë nga perëndimi tregon, se Rusia është “e dënuar” të humbasë këtë luftë dhe të “ulet në bankën e turpit historik”, deklaroi këshilltari i presidentit, Myhailo Podoljak.