Është mbyllur dhe procesi i numërimit të votave për kryetar bashkie në Tiranë, zonë e cila kishte dhe më shumë qendra votimi se çdo bashki tjetër në vend.
Sipas të dhënave të KQZ, Erion Veliaj ka fituar bindshëm në këtë garë përballë rivalit të koalicionit të Bashkë Fitojmë, Belind Këlliçi.
Pas numërimit të 941 kutive, kryebashkiaku aktual i Bashkisë së Tiranës ka mbledhur 158538 vota, teksa Këlliçi 100249.
Diferenca mes dy rivalëve është mbi 58 mijë vota në favor të kandidatit socialist, i cili merr në këtë mënyrë mandatin e tretë në krye të bashkisë së kryeqytetit. Kjo është edhe fitorja më e thellë në historinë e zgjedhjeve mes dy kandidatëve në Shqipëri.
Në garën për Tiranën, qytetarët kanë renditur të tretin Arlind Qorin duke i besuar 13816 vota, ndërsa kandidati i PD zyrtare, Roland Bejko renditet pas tij me 12374.
Aktualisht KQZ po bën përpunimin e të dhënave për publikimin e të dhënave zyrtare, teksa vijon puna për numërimin e votave për këshillin bashkiak, të cilat duhet të përfundojnë brenda orës 16:00 të ditës së sotme.