Autori i vrasjes së 16 vjeçarit Fatjon Bici ka folur për krimin e rëndë që ka kryer dy ditë më parë në Gramsh.
Marko Lici në dëshminë e tij ka thënë se sherri mes tij dhe kushëririt të viktimës kishte nisur tre muaj më parë tek lojërat elektrike dhe se ditën e ngjarjes kishte shkuar për “t’u sqaruar” me të, së bashku me shokët e tij.
“Sherri nisi 3 muaj më parë tek lodrat elektrike, atë ditë shkuam për t’u sqaruar në Gramsh. M’u errësuan sytë dhe nuk mbaj mend nëse qëllova person tjetër pas Fatjon Bicit. Fatjoni më goditi me grusht në fytyrë dhe më shau, pastaj nxora thikën e qëllova”, mësohet të ketë thënë autori Marko Lici.
Ndërkohë shokët e Licit kanë thënë se morën me vete thika dhe doreza hekuri dhe shkuan pranë shkollës. Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më më parë, ku Marko Lici qëlloi për vdekje me thikë bashkëmoshatarin Fatjon Lici.
Konflikti që u bë shkak për krimin kishte nisur disa ditë më parë, pasi të rinjtë shkëmbyen sharje në rrjetet sociale. Debati mes tyre përshkallëzoi ditën e martë kur 4 adoleshentët sulmuan me thikë dhe doreza 15-vjecarin, i cili mbeti i plagosur, ndërsa Fatjon Bici që hyri për të ndarë sherrin mbeti i vrarë, pasi u qëllua me thikë në zemër.