Gjakova përkujton më datë 14 Qershor të rënët e kësaj treve që dhanë jetën në luftën për çlirimin e Kosovës. Mirëpo, këtë vit aty do të shënohet dhe një ngjarje tjetër e rëndësishme, do të mblidhen dy qeveritë shqiptare.
Do të jetë takimi i nëntë i përbashkët mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, kryesuar nga kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama, si dhe kabinetet dhe shoqëruesit e tyre.
Mbajtjen e mbledhjes së përbashkët e ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti, gjatë një bisede me gazetarë në margjina të konferencës “Diaspora Flet”.
Ky bashkëpunim mes dy qeverive shqiptare ka nisur për herë të parë në 11 Janar 2014 dhe ka vazhduar me intensitet më të lartë vitet e fundit. Që atëherë janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje.
Disa prej tyre janë realizuar por ka shumë që kanë mbetur vetëm në letër.