MENU
klinika

Analiza

Samiti i G7 ishte i gjithi një “shuplakë” për Kinën

22.05.2023 - 15:25

Samiti i G7 në Hiroshima, Japoni, u duk më shumë si një përballje në distance mes shteteve perëndimore dhe Kinës.

“Dragoi” mori të shtunën një “shuplakë” nga vendet e Grupit të Shtatë lidhur me qëndrimet e saj ndaj Rusisë, Tajvanit, monopolit ekonomik dhe ndërhyrjes së brendshme, gjë që u reflektua edhe në deklaratën e liderëve të G7.

E publikuar rreth kohës së mbërritjes së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Hiroshima, deklarata e liderëve të demokracive të pasura të G7 i kërkoi Pekinit të bëjë më shumë për të ndaluar luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

“Ne i bëjmë thirrje Kinës që të bëjë presion ndaj Rusisë që të ndalojë agresionin e saj ushtarak dhe të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte trupat e saj nga Ukraina”, thanë liderët në deklaratë.

G7 Leaders Lay Wreaths in Memory of Hiroshima Victims - The New York Times

Gjuha sa i përket Tajvanit mbeti e njëjtë në krahasim me deklaratat e fundit, në samitet e mëparshme. “Ne ripohojmë rëndësinë e paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit si të domosdoshme për sigurinë dhe prosperitetin në komunitetin ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e G7, duke shtuar se nuk ka “asnjë ndryshim në pozicionet bazë” për sa i përket politikave të Kinës.

Përveç Rusisë, një tjetër element i ri këtë vit është përmendja e ndërhyrjes së brendshme, për të cilën grupet e të drejtave të njeriut thonë se është një reflektim i shqetësimit në rritje.

Sakaq, vendet e G7 lançuan një “platformë të re koordinimi për detyrimin ekonomik”.

Ata gjithashtu u zotuan të realizojnë qëllimin për të mobilizuar deri në 600 miliardë dollarë financim për infrastrukturë përmes Partneritetit për Investime Globale në Infrastrukturë, një rival i nismës që ka ndërmarrë gjiganti aziatik, “Brez dhe Rrugë”.