Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për dy ditë me radhë (25-26 maj) do të organizojnë konferencën shkencore ndërkombëtare, “Probleme të reja të albanologjisë në kohën e sotme”.
Kjo konferencë do të trajtojë disa nga sfidat kryesore të albanologjisë në ditët e sotme, si perspektiva e saj në kuadër të kulturës evropiane, kuptimi epistomologjik i saj, perspektiva arkeologjike në studimet albanologjike, modelet e shkrimit të studimeve albanologjike, studimet albanologjike në mesjetë, roli i dialekteve gjuhësore me gjuhën standarde dhe anasjelltas, rishkrimi i historisë, studimet letrare në albanologji dhe kontributi i disa albanologëve të shquar në studimet shqiptare.
Në konferencë marrin pjesë 36 studiues të albanologjisë nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Akademia e Shkencave së Shqipërisë, Institutet e Historisë dhe Letërsisë si, dhe katedra të tjera universitare në Shqipëri.
Kjo konferencë organizohet menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe në kuadër të rëndësisë së veçantë që Akademia e Shkencave së Shqipërisë i jep studimeve albanologjike, si studimet që janë parësore mbi arkeologjinë, identitetin, gjuhën, historinë dhe letërsinë shqiptare.