Acarimi i debatit apo komunikimit publik në politikën shqiptare është bërë si bukë me djathë, e konsiderohet si “element taktik”. Por herë pas here, kemi parë thirrje që kalojnë këtë “element taktik”, si puna e këtij të fundit, kur bëhet thirrje për heronj të rinj pas humbjes fatale të Sali Berishës.
Ku sipas të gjitha gjasave do të hyjmë në një stinë më të acaruar, ku më shumë sesa qëndrimet publike, do të vlejnë thirrjet e koduara drejtuar shtresave të caktuara, për të vepruar.
Kemi parë shumë për vite e vite, kur Al Kaeda apo ISIS u bën thirrje të rinjve, të varfërve, fanatikëve, që të sakrifikojnë për hir të së ardhmes së ndritur, ku selameti vizatohet edhe më piktoresk e i shijshëm se në librat e shenjtë.
Kemi parë kur organizata ekstremiste e fanatike politike apo nacionaliste, i bëjnë thirrje njerëzve të sakrifikojnë për të ardhmen e tokës e atdheut. Kemi parë deklarata shokuese të njerëzve që sakrifikimin e quanin si një detyrim sublim për të përmbushur objektivin e tyre.
Si për shembull, intervista legjendare e heroit të Kosovës, Fehmi Lladrovci në BBC, kur thoshte se e kishte për nder e krenari që ai të jepte jetën e tij për lirinë e shqiptarëve e të Kosovës. E pas asaj interviste, Fehmi Lladrovci së bashku me bashkëshorten e tij po legjendare Xhevën humbën jetën në luftë me pushtuesin. Të cilët sot janë pasqyra e ndërgjegja e një shteti, që lirinë e pavarësinë e ka të “betonuar” me sakrificën më sublime të heronjve të saj.
Por që të kërkohet sakrifikimi i drejtorëve, të cilët “udhëheqësi” në hall u ka çuar selam që të “shpëtojnë pluralizmin”, kjo nuk është dëgjuar. Në fakt nuk është krejt e padëgjuar. Dy partitë e mëdha, pra PS e PD, fushatën e bazojnë tek drejtorët apo ish-drejtorët. Të cilët i kanë drejtues, të deleguar, komisionerë, magnetë votash apo edhe patronazhistë.
E një thirrje nga krahu më i afërt i agjitpropit të foltores ka ardhur sot, fatva më e re e doktorit, duke dekonspiruar realisht edhe forcën reale që e mbante të paktën deri më 14 maj, si shtylla elektorale.
Tipike siç ndodh gjithmonë, në mënyrë të koduar u është kërkuar ish-drejtorëve që shefi i konsideron si bazën e disfatës së tij. E këtë pakënaqësi ata mund ta shlyejnë vetëm nëse tregojnë një veprim sublim, duke nisur nga jeta e tyre apo rrethit që kanë pranë për të treguar mirënjohjen ndaj “ajatollahut” që i ka bërë njerëz këtë kategori.
Që një farë kohe u kthyen edhe në aksiomën e famshme që ilustronte “paktin PS-PD”. Pra 8 vjet drejtor e 8 vjet pa punë, duke luftuar për tu bërë prapë drejtor. Kjo aksiomë u prish që në 25 prillin e 2021-shit, kur u thye “normaliteti” 8 vjet unë e 8 vjet ti, që më pas ka sjellë një paqartësi nga kjo aradhë drejtorësh.
Drejtorësh që përbëjnë realisht patronazhistët e parë pas 22 marsit 1992, kur njerëz të strukturave të PD-së u sulën ndërmarrjeve, institucioneve, e çdo enti publik, duke u emëruar me listë politike nga Sali Berisha, që veproi edhe më keq se Enver Hoxha në 1945, ku në shumë ente për ca vite mbetën ekspertët e vjetër të fashizmit e të Zogut.
Këta drejtorë nisën fshesën e frikshme të ligjëruar me ligjin gjenocidial 24/1, ku hoqën në fillim ata që konsideroheshin si socialist, gra, vajza, nuse apo kushërira të socialistëve, duke i nxjerrë në rrugë. Më pas ju sulën godinave të ndërmarrjeve. Shitën tullat, hekurin, dërrasat, gurët, kabllot elektrike për bakër etj etj. E kështu u kthyen në tregtarët e milionerët e rinj.
Më pas u bënë sërish drejtorë, kësaj here doganash, SHIK-u, tatimesh apo policie, ku postet i blenin me paratë e ndërmarrjeve. Shumë i futën një plep apo juridik e u bënë prokurorë, avokatë, gjyqtarë, e gjëra të tilla, ca edhe ambasadorë e diplomatë. Por të gjithë me shtëpi, katandi, luks e miradina. Por me kalimin e viteve edhe drejtorët u plakën, fëmijët u rritën, u bënë më koshientë se nuk vazhdohet me “plakun”. Fundja detyrimet ja kemi larë.
Edhe Rama tha se Luizi një herë e ksihte detyrimin për Benetin. Përse ne na ndjek ky detyrim gjithë jetën. E ka shumë gjasa që më 14 maj, këta drejtorë, ku një pjesë të mirë jetojnë edhe jashtë vendit të aziluar politik me letra se i është rrezikuar jeta nga fantazmat, kanë munguar në apelin e Doktorit, i cili ka nxjerrë fatva-n e parë të rëndë.
Por nuk do të jetë e fundit. Sepse siç thoshte i famshmi “Nëna”- kryespiuni i KGB-së në SHBA; strukturat e fjetura janë aq shumë sa do të vrasin edhe presidentin amerikan. Në fakt ishin shumë, por fëmijët e spiunëve të fjetur u bënë më proamerikanë se vetë amerikanët. E i bënë publike baballarët e mamatë që kishin ardhur në SHBA si çifte spiunësh.