Profesori amerikan Edward Joseph, ka thënë se çelësi i zgjidhjes së çështjes mes Kosovës dhe Serbisë qëndron te katër shtete të BE-së, që janë edhe anëtare të NATO-s, të cilat nuk e njohin Kosovën.
Joseph në një intervistë për “Al Jazeera” ka thënë se nëse Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia e njohin Kosovën, atëherë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më nuk do ta kishte një levë aq të fortë në duart e veta. Po ashtu Joseph ka thënë se nëse Ukraina e njeh Kosovën do të ishte katalizator.
“Problemi vjen brenda BE-së. Është fakti se katër shtete të NATO-s, që janë edhe pjesë e BE-së, si Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja, nuk e njohin Kosovën. Dhe me kushtet që i kanë për njohje, pasi që Serbia ta njohë Kosovën, kjo i jep Vuçiçit gjithë levën, e ai nuk është i interesuar ta zgjidhë çështjen. Ai po e shkel vazhdimisht marrëveshjen që u bë në mars, që është formë e njohjes de facto, por nuk po dëshiron të mos e zbatojë”, ka thënë Joseph.
Joseph ka thënë se situata e të premtes në veri është serioze.