Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken reagoi sërish në lidhje me situatën e tensionuar në veri të Kosovës, duke iu bërë thirrje palëve që të ulen dhe të punojnë paqësisht për një zgjidhje.
Diplomati e cilësoi të papranueshme dhunën ndaj gazetarëve dhe trupave të KFOR, teksa dënoi dhe vendimin e autoriteteve të Kosovës për të hyrë me forcë në institucione.
Gjithashtu, Blinken kërkoi dhe nga presidentit i Serbisë që të ulë nivelin e gatishmërisë së ushtrisë dhe të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve serbë që të ndalen aktet e dhunës.
“Vendimi i qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave, i acaroi thellë dhe pa nevojë tensionet. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre.
Presidenti Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gadishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’i bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme”, thekson Sekretari Blinken.
Më herët, kryeministri Albin Kurti një deklaratë të ngjashme të sekretarit Blinken e cilësoi si të nxituar.