MENU
klinika

Konfindustria kritika Bordit

Shqipëria në listën vendeve me çmimin më të shtrenjtë të karburanteve në botë

01.06.2023 - 13:14

Bordi i Transparencës vijon batërdinë duke vjedhur shqiptarët. Çmimi i naftës ka rënë këto ditë në bursat amerikane dhe europiane, por luhatja nuk ka ndikuar në tregun shqiptar. Ky i fundit mbetet ndër më të shtrenjtët në botë për nivelin e çmimit të karburanteve, ndërsa Shqipëria është në listën e 20 vendeve me çmimin më të shtrenjtë. Në bursën amerikane një fuçi nafte e papërpunuar tregtohet në kuotën e rreth 72 dollarëve për fuçi, ndërkohë që edhe në Europë çmimi ka pësuar ulje të lehtë. Në SHBA, çmimet e naftës ranë pasi investitorët shqetësohen për mungesën e progresit në negociatat midis demokratëve dhe republikanëve në Uashington për të rritur tavanin e borxhit. Presidenti Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy arritën një marrëveshje paraprake mbi borxhin gjatë fundjavës, por ajo duhet të marrë miratimin e Kongresit, i cili deri më tani mbetet i përçarë. Marrëveshja duhet arritur përpara 5 qershorit, ditë kur Departamenti i Thesarit thotë se vendi nuk do të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e tij financiare. Luhatjet në çmim janë të vogla, megjithatë ato ndikojnë edhe në tregun shqiptar të karburanteve, ku një litër naftë shitet sot në pompë me çmim 176 lekë/litër. Në raport me verën e kaluar, kur një litër naftë tregtohej 220 lekë për litër, çmimi duket të jetë i qëndrueshëm, megjithatë Shqipëria renditet në listën e 20 vendeve më të shtrenjta. Pra, duket qartë se kemi të bëjmë me një mega skandal dhe megavjedhje, nga Bordi i Transparencës, i cili edhe pse Gjykata Kushtetuese kërkoi të shkrihet, ai vijon të jetë aktiv, duke grabitur qytetarët shqiptarë për llogari të qeveritarëve dhe oligarkëve.

Konfindustria kritika Bordit
Ndërkohë edhe Konfindustria shpreh shqetësimin për rritjen e fortë dhe të menjëhershme të çmimit të karburanteve menjëherë pas zgjedhjeve vendore të 14 majit . Bordi i Transparencës, menjëherë në javën e parë pas zgjedhjeve, rriti çmimin tavan të naftës me 6 lekë/litër. Sot në pikat e pakicës nafta tregtohet deri me 179 lekë/litër. Shqipëria i rikthehet përsëri çmimeve më të larta në rajon dhe nivel krahësimor nga më të shtrenjtat në kontinent. Çmimet e rritura ndjeshëm të karburanteve në tregun shqiptar nuk shkojnë në të njëjtin kah me çmimet e shteteve të rajonit. Për shembull në Maqedoni çmimi i produktit “naftë” i shprehur në Lek është më i ulët sesa 125 lekë/litër. Nëse do të bëhet krahasimi, përfshirë edhe ndryshimin fiskal, çmimi i “naftës” në tregun shqiptar është 15-20 lekë për litër më i shtrenjtë. Konfindustria vlerëson, se vendimet e njëpasnjëshme të Bordit të Transparencës në periudhën para dhe pas zgjedhore për çmimin e karburanteve krijojnë dyshime të arsyeshme, se janë jo vetëm kundër interesit publik, por edhe përdorim për qëllime politike.

Akuzat e PD
Nga ana tjetër, edhe deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka denoncuar çmimin e lartë të karburantit në vendin tonë, krahasuar me çmimin aktual në bursë dhe tregjet ndërkombëtare. Në një postim në “Facebook” Sula shkruan se prej një jave ne paguajmë 221 lekë për një litër naftë, çmim ky i vendosur nga Bordi i Transparencës, ndërsa në tregjet ndërkombëtare ka pasur një rënie konstante. “Skandal, si po i vjedh Bordi i Transparencës qytetarët Shqiptar. Dje postova në Facebook sesi qeveria greke ka lënë pushimet për të menduar bërë gati paketën e ndihmës për qytetarët duke rritur pagën minimale dhe uljen e taksave. Ndërkohë në Shqipëri qeveria jo e jo që se vendos ujin në zjarr, por kemi edhe bordet që u ngritën për transparencë por në fakt ka përfunduar për të vjedhur qytetarët. Prej ditësh në bursë çmimi i naftës ka rënë në nivelet e para luftës në Ukrainë, por bordi i vjedhjes nuk denjon të ul çmimin. Një fuçi naftë shitej me 92.8 dollarë. Nëse do të bënim përllogaritjen duke përfshirë të gjitha taksat dhe normën e rritur nga bordi të fitimit për importuesit e naftës, një litër naftë me pakice nuk do të kushtonte më shumë se 206 lekë për litër, ndërkohë që në pikat e karburantit është me 222 lek për litër”, shkroi pak ditë më parë Sula në rrjetet sociale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mbetemi në listën e 20 vendeve më të shtrenjta!

Çmimi i naftës ulet ndjeshëm në bursë, po në Shqipëri?