Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr nga gjuha e tyre e ashpër drejtuar së fundmi ndaj Kosovës për situatën në Veri. Edhe pse ishte SHBA që përkrahu përpjekjet për të zhvilluar zgjedhje pa Listën Srpska, mbështetën edhe idenë që qeveria Kurti të mbrojë sovranitetin e integritetin territorial në këtë pjesë të vendit, të gjithë anti-shqiptarët dhe pro serbët përdorën fjalët e amerikanëve se Kosova do të sanksionohet për shkak të vendimeve të gabuara të lidershipit kosovar. Mediat kundër Kurtit raportuan dy ditë më parë se ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka konfirmuar se tashmë Kosova ka marrë sanksionet e para, pasi, sipas tij, qeveria që drejtohet nga Albin Kurti nuk përfilli këshillat e tyre. I ashpër ishte dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se i dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat, sipas tij, po e përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”. Ai tha se këto veprime janë marrë “në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”. Por ditën e djeshme shohim një tërheqje të gjuhës së ashpër të amerikanëve kundrejt qeverisë Kurti.
SHBA: Nuk pasur sanksione ndaj Kosovës
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, pas takimit të djeshëm me kryeministrin Albin Kurtin deklaroi se është urgjente qetësimi i situatës në veri. Hovenier, tha se s’ka pasur sanksione ndaj Kosovës dhe nuk dëshiron të përdorë atë fjalë, por vetëm disa pasoja për shkak të situatës aktuale. Ai shtoi se shpreson që kjo situatë të kalojë në mënyrë që të mos ketë më pasoja, teksa refuzoi të përgjigjet se çka do të ndodhte sikur Kurti të mos ndërronte mendje. “Nuk e kam përdorur atë fjalë (sanksionojë). Nuk dua ta përdor atë fjalë. Ka pasur tashmë, siç e kam vënë re, disa pasoja për gjendjen, në të cilën jemi. Unë shpresoj se do ta kapërcejmë këtë, kështu që nuk duhet të ketë më pasoja…Nuk jam në gjendje të them se cilat janë këto pasoja. Unë do të thosha se Shtetet e Bashkuara po mendojnë se çfarë mjetesh kemi për të inkurajuar qeverinë e Kosovës që të bëjë atë që ne mendojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme për ta bërë tani, që është arritja e de-eskalimit në veri”, theksoi ambasadori amerikan”, tha ai. Ai diskutimin me Kurtin e cilësoi si të mirë dhe produktiv, por tha se nuk ka mundur t’ia ndërrojë mendjen që tre kryetarët e zgjedhur në veri mos të ushtrojnë detyrat në objektet komunale.
Mesazhet e SHBA
Gjithashtu, Hovenier tha se kjo situatë po e pengon edhe marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi dhe aneksin e zbatimit të tij. “Unë përsërita dhe ripërsërita pikëpamjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të shprehur së fundi nga Sekretari Lincoln, për nevojën e një sërë hapash urgjente për të de-përshkallëzuar situatën atje. Ajo që ne besojmë se do të arrin de-përshkallëzimin nuk është sekret, pra kjo është duke rënia në dakord që këta tre kryetarë komunash të punojnë nga lokacione alternative dhe tërheqja e policisë së Kosovës nga tri ndërtesat komunale. Ne folëm gjithashtu për rëndësinë e ecjes përpara me zbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksin e zbatimit të saj për normalizimin e avancuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ndava shqetësimet e mia se situata në veri po e pengon shumë atë përpjekje, të cilën ne duam ta shohim të lëvizë përpara, ky pra ishte diskutimi ynë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të inkurajojnë Qeverinë e Kosovës në mënyrë aktive dhe aq efektive sa të mundemi për të ndihmuar në arritjen e de-përshkallëzimit dhe siç i keni parë deklaratat tona publike, ne po kërkojmë gjithashtu që Qeveria e Serbisë të ndërmarrë hapa, të ndihmojë të arrihet një situatë më e mirë edhe në veri të Kosovës”, tha ai.
Bliken dënon sulmin e huliganëve serb ndaj KFOR-it
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa menjëherë që të ulin tensionet në veri. “Shumë aleatë shprehin shqetësimin për rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës dhe i dënon fuqishëm sulmet e fundit ndaj KFOR-it, kolegëve tanë italianë dhe hungarezë që u lënduan në atë sulm. Ftojmë Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën dhe të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja”, ka thënë Blinken në konferencë për media të enjten në Oslo të Norvegjisë.