Është e pamundur të mos e vësh re. Është një pllakatë e vogël me ngjyrë të zezë në hyrje të godinës elegante të bashkisë së qytetit të Rajhenbah im Vogtland. Të gdhendur janë tre paragrafë të shkurtër.
I pari ka të bëjë me mënyrën se si u grumbulluan hebrenjtë në bashkinë e qytetit. Më pas ata vdiqën në një kamp përqendrimi në Flosenburg. I dyti përshkruan se si në prillin e vitit 1945, amerikanët e pushtuan Rajhenbahun, një qytet shumë i bukur në landin e Saksonisë në Gjermaninë Juglindore. Kishte marrë fund epoka naziste.
Ndërkohë paragrafi i tretë shpjegon se si ushtria amerikane ia kaloi kontrollin e qytetit Ushtrisë së Kuqe. Kjo e fundit deportoi në Siberi 120 të rinj nga 15-16 vjeç. Shumë prej tyre vdiqën atje. Të paktët që arritën të kthehen shtëpi ishin shumë të sëmurë.
Pllakata përmbledh atë që ky qytet dhe shumë të tjerë kaluan gjatë fazave mbyllëse të nazizmit: disfatën, çlirimin dhe pushtimin në rastin e Gjermanisë Lindore.
Në këtë pjesë të Gjermanisë së ndarë, pushtimi sovjetik zgjati deri në vitin 1990.
Që nga ajo kohë, popullsia e qytetit është zvogëluar nga 35.000 në vetëm 20.000 banorë. Të rinjtë janë larguar. Industria e vjetër është zhdukur. Disa ndërtesa të shkëlqyera tregtare por edhe shtëpi janë bosh ose në gjendje të mjeruar. Kisha është e mbyllur sepse po rikonstruktohet.
Autoritetet lokale po bëjnë çfarë kanë mundësi për të inkurajuar turizmin, dhe për ta rivendosur në hartë Rajhenbah dhe rethinat.
Në pamje të parë, nuk duket se lufta e Rusisë në Ukrainë e ka prekur këtë qytezë. Këtu nuk ka asnjë shenjë të flamujve të Ukrainës.
Por këshilli i qytetit ka bërë gjithçka për të mirëpritur refugjatët ukrainas. Faqja e tij në internet shpjegon se si lufta i ka tronditur njerëzit. Sesi ata mund të shohin me sytë e tyre se çfarë po ndodh me një vend kaq afër Rajhenbah. Këshilli po bën gjithçka që mundet për të strehuar dhe garantuar shkollimin dhe punën për refugjatët.
Përpjekje të ngjashme po ndodhin në pjesën më të madhe të Gjermanisë.
Por veç atij social dhe humanitar, ato kanë edhe një dimension më të gjerë politik. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, perceptimi i elitave politike, por edhe i publikut gjerman për Rusinë ka pësuar ndryshime të tilla, saqë është e vështirë që Berlini të rikthehet tek statuskuoja e vjetër kur të mbarojë kjo luftë.
Ndryshimet janë komplekse dhe të vonuara.
Ato kanë të bëjnë me mënyrën sesi Gjermania, e tronditur nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, e shkatërroi rendin e pas 1945-ës.
Në fakt rendin e pas 1990-ës, dhe sot është detyruar të rishikojë politikën e saj të jashtme dhe qasjen ndaj Rusisë.
Dashuria me Moskën ka marrë fund. Deri dje politika e jashtme gjermane ishte si një trekëndësh.
Njëri kulm ishte për NATO-n dhe “ombrellën” e sigurisë amerikane, tek e cila Gjermania mund të mbështetej pa pasur nevojë të investonte shumë mbi sigurinë e saj.
I dyti ishte për BE-në, e cila i ofroi Gjermanisë një spirancë të fortë ekonomike dhe politike. Dhe i treti ishte për Rusinë, që ndikoi në dy këndet e tjera të trekëndëshit. Rusia ishte një faktor vendimtar që ndikoi shumë në politikën e jashtme gjermane.
Dhe këtu nuk bëhej fjalë vetëm për thyerjen e radhëve të qeverisë gjermane (Perëndimore) me Uashingtonin në vitet 1970, duke financuar ndërtimin e një gazsjellës rus dhe rënë dakord për të blerë gaz nga Kremlini. Dhe as për marrëdhëniet komplekse dhe të trazuara midis Berlinit dhe Moskës gjatë shekujve.
Thelbi ishte që kombinimi i këtyre faktorëve, plus ndikimi i industrisë dhe lobeve të tjera, i penguan elitat politike gjermane që të kishin një politikë të afërt bashkëpunimi me vendet e tjera të Evropës Lindore.
Kur Armenia, Bjellorusia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina fituan pavarësinë e tyre pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991, Berlini, me vetëdije ose jo, i pa këto vende të reja të pavarura dhe sovrane përmes syrit të Rusisë. Pra tamam sikur këto shtete të ishin ende në sferën e ndikimit të Rusisë.
Arsyetimi ishte ky: është më mirë të mos lëkundim marrëdhëniet me Moskën duke mbështetur hapur lëvizjet në rajon që synojnë hyrjen në BE dhe NATO.
Kjo gjë do ta shqetësonte Rusinë. Ky lloj këndvështrimi i pas 1989-ës, diktoi politikën e Gjermanisë ndaj NATO-s, ndaj BE-së dhe ndaj Rusisë, që të gjitha në kurriz të Evropës Lindore.
Samiti i NATO-s në Bukuresht e pasqyroi këtë pikëpamje gjermane. Berlini u përkul para Moskës. Por tani ky trekëndësh interesash po ndryshon. Lufta në Ukrainë tregon sesi NATO është përshtatur, dhe se si Berlini e pranon se duhet të paguajë për sigurinë e tij, përmes NATO-s dhe brenda vendit duke i modernizuar forcat e tij të armatosura që janë aktualisht në një gjendje shumë të keqe.
Dhe kjo ka të bëjë me marrjen seriozisht të fuqisë dhe sigurisë. Por edhe BE po ndryshon qasje.
Ajo nuk do të bëhet një lojtare kryesore në fushën e mbrojtjes apo një organizatë që mbështetet tek fuqia e ashpër. Këtë e pengojnë strukturat dhe interesat e ndryshme të shteteve anëtare.
Por ajo që mund të bëjë – dhe Gjermania duhet të ndihmojë në aspektin intelektual për ta arritur këtë – është të ndërmarrë hapa drejt bërjes së kontinentit “të plotë dhe të lirë”. Ka ende shumë punë të papërfunduara që nga epoka e menjëhershme pas 1989-ës.
Përfundimi i saj nënkupton fundin e transformimit të Evropës Lindore, sado i vështirë që mund të jetë ai. Dhe kjo na çon tek elementi i tretë i trekëndëshit: Rusia. Me luftën e saj që po e ndryshon rrënjësisht perceptimin e Gjermanisë për Moskën, trekëndëshi në formën e tij të vjetër është i tepërt. B
erlini ka tashmë shansin që ta bëjë Evropën Lindore këndin e tretë të një trekëndëshi të ri.
Burimi: Carnegie Europe