Tirana pritet të afrojë të paktën 7 lojtarë në këtë merkato. Në dyshim të madh për të qëndruar është Aleksi, Hila, Behiratçe. Ata nuk kanë vendosur ende për të ardhmen. Me shumë mundësi qëndrimi i Shehit bën që edhe këta lojtarë të firmosin rinovimin me bardheblutë.
Qëndrimi i tyre do të vendosë shumë për të ardhmen e skuadrës. Fakt është që Bekaj dhe Toshevski e kanë mbyllur me Tiranën. Edhe Behiratçe është drejt asaj rruge, ndërsa për Florent Hasanin gjërat varen nga ofertat që do të vijnë.
KAMPIONATI SHQIPTAR – Burime të “Panorama Sport” pranë klubit bardheblu bëjnë me dije se Tirana e ka mbyllur marrëveshjen me Kainën që më parë ka luajtur me Vllazninë. Nga ana tjetër, mësohet se një tjetër lojtar që është shumë pranë firmës është edhe Erdenis Gurishta.
Të dy këta lojtarë do të vishen bardheblu. Për portën Tirana duhet të zgjedhë mes dy lojtarëve të Laçit, Selmanit e Dajsinanit, si dhe Salit të Kastriotit. Qirko mund të jetë alternativë, vetëm nëse lirohet nga Teuta.
Skuadra bardheblu u ka bërë një ofertë lojtarëve qendrorë Milosh Stojanoviç të Kastriotit dhe Ardit Iljazit të Erzenit. Dëshiron shumë Aleksandër Trumçin nëse nuk bëhet Gurishta.
Nga ana tjetër, krahu i majtë duhet të bëhet nga fillimi. Edison Ndreca dhe Lorran janë kërkuar me ngulm nga Tefik Osmani e Orges Shehi. Mesfusha do të varet nga Hila e Aleksi.
Nëse ata firmosin zor se do të ketë ndonjë afrim. Tirana dëshiron shumë Arsid Krujën, por sidomos Fjoart Jonuzin. Një opsion është lojtari i lirë, Shqiprim Taipi.
Në sulm, veç Kainës, tre janë lojtarët e tjerë që i interesojnë Tiranës. Liridon Latifi që mund të luajë majtas dhe Patrik Nonato e Gabriel Barbosa që janë qendërsulmues. Latifi mund të afrohet nëse largohet Florent Hasani.
KOSOVA E MAQEDONIA – Endrit Krasniqi i Prishtinës është në orbitën e Tiranës, raportojnë mediat dardane. Finalja e Kupës së 5 qershorit, Gjilani – Prishtina, pritet të jetë e fundit në fanellën bardhekaltër për fantazistin, i cili regjistron 11 gola e 6 asiste këtë sezon.
Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë pasi Gjilani, Ballkani, Drita, Llapi, Shkëndija e Shkupi, janë skuadrat e tjera të interesuara për të.
Bardheblutë janë pranë nënshkrimit me kapitenin e Shkëndijës së Tetovës, Egzon Bejtullai. Për shërbimet e tij është interesuar dhe Partizani, por siç raporton “OpenTV”, ai ka zgjedhur Tiranën.
Ai pritet të transferohet si lojtar i lirë, pasi në fund i skadon kontrata me kuqezinjtë e Tetovës. Bejtullai ishte gjithashtu dhe pjesë e Maqedonisë së Veriut në “EURO 2020”, duke u aktivizuar 27 minuta.