NATO ka konfirmuar më 5 qershor se në Kosovë kanë filluar të arrijnë trupat përforcuese për misionin në Kosovë, KFOR, pasi përleshjet e dhunshme me protestuesit në Zvecan më 29 maj i kishin lënë 30 ushtarë të KFOR-it të lënduar.
“Rreth 500 pjesëtarë të shërbimit turk nga batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë së Turqisë do ta përbëjnë pjesën më të madhe të përforcimeve të NATO-s”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga NATO-ja.
Në këtë deklaratë thuhet se këta trupa përforcues do të qëndrojnë në Kosovë për “aq sa të ketë nevojë” dhe se edhe një batalion tjetër është vënë në gatishmëri të lartë për dislokim në Kosovë në rast nevoje.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, falënderoi Turqinë për dërgimin e trupave përforcues për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in.
“Turqia është një aleate e rëndësishme dhe shumë e vlerësuar, duke dhënë kontribute kyçe në NATO. Këtu përfshihen trupat për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, gjë që është edhe më e rëndësishme tani, kur tensionet janë të larta”, citohet t’i ketë thënë Stoltenberg presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoganit, më 4 qershor.
Prej 29 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it. Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë.
Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në këtë shtet.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve. Në mesin e kërkesave janë tërheqja e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe pezullimi i operacioneve policore në ato ndërtesa në veri.
Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë. /REL