MENU
klinika

Drejtuesit e tyre ndëshkohen me gjobë

Bllokohen 5 varka në Koman

06.06.2023 - 10:15

Shërbimet e Policisë, në zbatim të planit të masave të hartuar me qëllim kontrollin e mjeteve lundruese, turistike dhe argëtuese, në liqenin e Komanit, për mënyrën e përdorimit dhe për pajisjen e tyre me dokumentacion të plotë, nisur dhe nga informacionet e siguruara se në liqen kishte mjete lundruese të pasigurta, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor për sigurinë e turistëve dhe vizitorëve të liqenit, të koduar “Komani”.

Si rezultat u bllokuan 5 mjete lundruese varka të ndërtuara në mënyrë artizanale dhe u ndëshkuan drejtuesit e tyre, me masë administrative, me nga 10 000 lekë të rinj secili.

Gjithashtu, u bë bllokimi i një mjeti lundrues traget në pronësi të shtetasit Gj. G., pasi gjatë verifikimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër, në kalatën e liqenit të Komanit, është konstatuar se ky traget ishte i paregjistruar në organet tatimore, kishte punonjës te paregjistruar, si dhe mungonte leja e drejtimit për guidimin e tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori, për shtetasin Gj. G., 53 vjeç, banues në Shtoj i Ri, Shkodër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

Operacioni “Komani”, për kontrollin e mjeteve lundruese, turistike dhe argëtuese, për sigurinë e turistëve dhe vizitorëve në liqenin e Komanit, vijon.