MENU
klinika

Rëndësia e remitancave

Sejko: Duhen ulur kostot e dërgesave

14.12.2018 - 15:36

Të premten u zhvillua u zhvillua takimi i dytë i nivelit të lartë midis Bankës së Shqipërisë, Ministrit të Shtetit për Diasporën, bankave tregtare dhe subjekteve financiare jobanka të angazhuara në fushën e transfertave monetare që operojnë në vendin tonë.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e remitancave në ekonominë shqiptare, në mirëqenien e familjeve dhe zhvillimin në përgjithësi. Ai u shpreh se gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë, përmes burimeve të saj, është angazhuar seriozisht në krijimin e parakushteve të nevojshme për kanalizimin sa më efikas të këtyre të ardhurave në ekonominë shqiptare.

“Banka e Shqipërisë dhe Komiteti Kombëtar i Sistemeve të Pagesave kanë miratuar dhe vënë në zbatim tashmë strategjinë kombëtare për tregun e pagesave me vlerë të vogël. Strategjia në fjalë synon krijimin e një tregu bashkëkohor e gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe efikase, si dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh të pagesave, që përmbushin nevojat e përdoruesve të aftë financiarisht për të kryer pagesa në të gjithë vendin. Duke shtuar në objektivat e Bankës së Shqipërisë edhe përfshirjen financiare, kjo strategji ka përcaktuar objektiva sasiorë mjaft ambiciozë duke synuar kështu dyfishimin e popullsisë që zotëron një llogari bankare (nga 38% në vitin 2014, në 70% në vitin 2022) dhe rritjen e numrit të pagesave elektronike për frymë (nga 4.3 në vitin 2016, në 10 në vitin 2022).” tha Sejko.

Sipas tij, për arritjen e këtyre objektivave vjen nevoja për një plan veprimi konkret e të detajuar, i cili kërkon mbështetjen e të gjithë aktorëve të përfshirë në tregun e pagesave, si dhe ndërhyrje në shumë aspekte, si përmirësimi i kuadrit ligjor dhe rregullativ; zhvillimi dhe përmirësimi i infrastrukturave për shërbimet financiare; zgjerimi i numrit dhe përdorimit të llogarive dhe shërbimeve të pagesave; zgjerimi i pikave të aksesit të këtyre shërbimeve; rritja e edukimit, ndërgjegjësimit dhe përfshirjes financiare dhe rritja e volumeve të transaksioneve të procesuara nga sistemet e pagesave.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Strategjia për diasporën

Remitancat, nga konsumi drejt zhvillimit